Protesta dhe festa në botë pas sulmeve ndaj Iranit, 23 të vrarë në Pakistan, përplasje pranë konsullatës amerikane
Një ish-zyrtar i lartë i Libisë i periudhës së Muamar Gedafit u dënua me vdekje pasi u gjet fajtor për akuzën e nxitjes së dhunës kundër rebelëve gjatë kryengritjes së 2011-ës që çoi në rrëzimin e kolonelit.
Ahmed Ibrahim ka mbajtur disa poste të rëndësishme gjatë regjimit të Gedafit, përfshirë këtu Ministër Arsimi dhe Edukimi. Ai u kap në 2011 në Sirte, vendlindja e Gedafit.
Sipas akuzës së ngritur kundër tij, Ibrahim ka organizuar grupe të armatosura dhe mercenarë me pagesë për të luftuar kundër rebelëve në këtë qytet.
Sipas kodit penal vendas, Ibrahim do të ekzekutohet duke u pushkatuar.
Megjithatë, avokati mbrojtës i tij tha për agjencinë e lajmeve Reuters se vendimi duhet të miratohet nga Gjykata Supreme e vendit, para se të zbatohet.
Qeveria e re libiane është shprehur e vendosur për të ndëshkuar të gjithë bashkëpunëtorët dhe familjen e Gedafit. Por aktivistët e të drejtave të njeriut kanë ngritur pikëpytje mbi procedurat e ndjekura nëse ato i përmbushin standardet ndërkombëtare apo jo.
Dhjetra procese gjyqësore ndaj mbështetësve dhe të afërmve të Gedafit janë në zhvillim e sipër. Shumë të tjerë kanë përfunduar, ndërsa gjyqi më i rëndësishëm, ai ndaj djalit të ish-diktatorit të Libisë, Saif al-Islam pritet të nisë brenda gushtit.
Top Channel