Kolegji hap 10 kutitë e Lezhës

31/07/2013 00:00

“Kolegji Zgjedhor, pasi shqyrtoi çështjen në tërësi, vendosi pranimin pjesërisht të kërkesë-padisë, ndryshimin e vendimit nr 701, dt 10/07/2013, të KQZ-së për nxjerrjen e rezultateve të votimit për zonën zgjedhore Qarku Lezhë, në zgjedhjet për Kuvend të 2013-s, sipas tabelave përmbledhëse, pjesë përbërëse të këtij vendimi. U shpall sot në Tiranë, më datë 31/07/2013. Seanca mbyllet”, ka qenë deklarimi i Petrit Cenos.

Kolegji Zgjedhor ka pranuar pjesërisht kërkesën e Partisë Demokratike për Qarkun e Lezhës, duke përfshirë në tabelën përfundimtare vetëm rezultatin e 10 kutive të rinumëruara, ndërkohë që PD kërkonte përfshirjen e të 258 kutive.

Pas këtij vendimi, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, deklaroi se forca që ai përfaqëson është e vendosur për transparencën e zgjedhjeve, deri në ndjekje penale për shkelësit e ligjit, qofshin këta edhe të Partisë Demokratike.

“Nuk bëjmë asnjë dallim. Të gjithë ata persona të përfshirë në procesin zgjedhor, të cilët kanë pasur përgjegjësi për administrimin korrekt, pavarësisht se kush i ka propozuar, ata kanë një detyrë, që votat t’i numërojnë dhe t’i tabulojnë ashtu siç ato janë hedhur. Kushdo që ka shkelur ligjin do të përballet me drejtësinë. Nëse ka të tjerë pas tyre, ata do të kenë mundësinë të tregojnë se kush ishin ata që i korruptuan, apo ushtruan presion mbi ta”, tha Oerd Bylykbashi.

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, kritikoi vendimin e
Kolegjit Zgjedhor për rinumërim vetëm të 10 kutive të Qarkut të Lezhës,
duke e quajtur këtë vendim si të marrë “nën presionin e Partisë
Socialiste”.

Para mediave, zoti Bylykbashi tha se Kolegji nuk pa të arsyeshme të merrte një vendim për rinumërimin e plotë të gjithë Qarkut të Lezhës, pavarësisht provave të qarta të siguruara nga Partia Demokratike, që vërtetonin manipulimin e zgjedhjeve.

“Detyra e Kolegjit ishte të siguronte transparencë për të gjithë shqiptarët. Por Kolegji zgjodhi të lexojë kërkesën nën trysninë e PS-së”, tha ai.

Top Channel