Ashton: Morsi ishte mirë, por s’di se ku e mbajnë

31/07/2013 02:40

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, tha se presidenti i rrëzuar i Egjiptit, Mohammed Morsi, është “mirë”, por nuk ka informacione se ku mbahet ai.

Baronesha Ashton tha se kishte zhvilluar 2 orë bisedime “të sinqerta e të thella” me Morsi-n gjatë së hënës, por pa dhënë detaje të mëtejshme rreth diskutimeve. Morsi pati mundësinë të njihej me lajmet dhe ndoqi zhvillimet e fundit, shtoi ajo.

Ashton është e para diplomate e huaj që takohet me Morsi-n, që kur ky është arrestuar, pasi u rrëzua nga pushteti më 3 korrik. Kjo ishte vizita e dytë e Ashton-it në Egjipt, brenda 12 ditëve, dhe vjen në një kohë kur 70 mbështetës të Morsi-t u vranë gjatë përleshjeve me forcat e sigurisë, të shtunën.

Ajo zhvilloi bisedime me lidershipin e përkohshëm të vendit, përfshi shefin e ushtrisë, Gjeneral Abdul Fattah al-Sisi, si dhe përfaqësues të “Vllazërisë Muslimane” të Morsi-t.

Ashton tha për BBC se, pas një udhëtimi gjatë natës, përfshi një fluturim me helikopter dhe forma të tjera të transportit, ajo u takua me Morsi-n në një objekt ushtarak. Ajo tha se presidenti i rrëzuar ishte në “gjendje të mirë” dhe “me humor pozitiv”.

“Atij mund t’i ishte thënë, rreth gjysmë ore përpara ardhjes time, lajmi për mbërritjen time. Mendoj se ai ishte i lumtur që u takua me mua”, tha ajo. “Ai ndodhet atje së bashku me 2 këshilltarë, janë së bashku në një ambient ushtarak. Njerëzit përreth tij kujdesen për të. I hodha edhe një sy ambienteve”.

Ajo i përshkroi bisedimet si “miqësore, të hapura dhe tepër të sinqerta”, por refuzoi të nxirrte detaje mbi përmbajtjen e tyre. “Nuk do të vazhdoj të flas për bisedën”, tha Ashton.

Ajo shtoi se lideri i rrëzuar kishte “akses ndaj informacioneve, përfshi televizionet dhe gazetat, kështu që patëm mundësi të flisnim për situatën aktuale dhe nevojën për të ecur përpara”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA