Nuk pranoi dot ndarjen, shqiptari i vë flakën shtëpisë së ish-partneres, lëndohen të dy
“Është e tmerrshme ajo që ka ndodhur. As nuk do ta mendonim kurrë se
mund t’i ndodhte gjë atij. Ai ishte një djalë i ri, me shumë ëndrra. Sot
e prisnim të kthehej në shtëpi, ku kishim vendosur të takoheshim. Ishte
shembullor. Kot nuk thonë vetëm të mirët ikin. Do të na mungojë shumë
të gjithëve”.
Ndërsa presin me dhimbje momentin e varrimit, shokët e klasës së Serdi Bajlozit, i cili u vra aksidentalisht gjatë një atentati në Vlorë, tregojnë për krenarinë e klasës me rezultate të mira dhe një nxënës model në Përrenjas. Të rinjve nuk i mungojnë lotët, ndërsa shprehin mllef ndaj asaj që ndodhi. “Ndodh në Shqipëri që të shkosh me pushime e të përfundosh i vrarë”, shprehet Xhesi Rira, shok klase dhe fqinj me familjen Bajlozi.
Ndërsa e gjithë familja, e mbyllur në dhimbjen e saj për një humbje kaq të madhe, nuk ka dashur të komentojë asgjë në ditën e lamtumirës. Vetëm babai i tij, Agroni, ka dashur të përcjellë një mesazh lidhur me deklaratën e tij për heqje organesh të të birit.
“Skam asgjë për të thënë. Dua vetëm të sqaroj se kam thënë diçka që në nxitim dhe në dhimbje e sipër nuk e kam menduar. Nuk akuzoj njeri për heqje apo trafikim organesh. Ka qenë dhimbja e madhe dhe fakti që jam gjetur papritur para trupit të tim biri të pajetë”, është shprehur ai vetëm pak çaste, para se të përcillte të birin për në banesën e fundit. Serdi Bajlozi, sapo kishte mbyllur vitin e dytë të shkollës me rezultate të shkëlqyera dhe ishte një i ri me shumë ëndrra e dëshira. Nëna e tij, Maria, që është mësuese dhe babai i tij, Agroni, oficer policie, kishin kontribuar që ai të ishte një djalë i rregullt, korrekt dhe sistematik në shkollë. Një familje e nderuar dhe e respektuar në Përrenjas, që ende vazhdon të kërkojë arsyen, pse i biri humbi jetën në mënyrë kaq tragjike në moshë të njomë.
Bashkë me ta, arsyen e kërkojnë të gjithë banorët e Përrenjasit. “Të shkosh në plazh e të vritesh aksidentalisht, kjo është e tmerrshme. Duhet të ketë dënime maksimale. Nuk mund të vriten njerëzit në mes të plazhit. Ka rënë shteti. Jemi bërë si në ‘97-n”, janë disa nga shprehjet që dëgjon nga banorët e Përrenjasit. Tronditja është e madhe për formën si ndodhi dhe sidomos për të riun që njihej nga të gjithë, si djalë i sjellshëm dhe korrekt, pa vese dhe një krenari për Përrenjasin. Një pjesë kërkojnë dënimin me vdekje, ndërsa pjesa tjetër thonë se duhet të zbatohen ligjet në maksimum dhe duhen ashpërsuar, që të mos guxojë njeri të marrë armën në dorë e jo më të vrasë njerëz.
Familja Bajlozi jeton në një apartament në afërsi të shkollës së Përrenjasit dhe mes shumë njerëzve, që prej lajmit të hidhur, hyjnë e dalin për mort, janë edhe shokët e klasës së Serdit, të cilët janë veshur me të zeza dhe mes lotëve i japin lamtumirën e fundit të riut që humbi jetën aksidentalisht, duke u gjendur në vendin dhe momentin e gabuar. Ngushëllime familjes Bajlozi i ka dërguar edhe deputeti socialist, Tauland Balla. “Serdi ishte një djalë yll, që u shua pa shkëlqyer akoma. Sot krimi e gjunjëzoi përsëri shtetin. Shteti dhe Policia ishin të paaftë të parandalonin një kriminel që lëvizte i armatosur lirisht në një plazh shumë të frekuentuar. I kam kërkuar prej ditësh Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, të marrë masa për situatën akute kriminale në vend, që vjen edhe për shkak të shthurjes së Policisë së Shtetit. Por, po kuptoj se Burgaj dhe të tjerë me të, në krye të policisë, janë përgjegjësit e këtij ‘dezertimi’ të Policisë së Shtetit”, shprehet Balla, duke iu bashkuar dhimbjes së gjithë qytezës për humbjen e 17-vjeçarit.
Top Channel