Snouden, i “burgosur” në aeroport

30/07/2013 00:00

Për zyrtarët e Shërbimit Federal Rus të emigracionit është më e përshtatshme që Eduard Snouden të qëndrojë në aeroportin Sheremetievo të Moskës, ku ish-kontraktori i CIA-s është më i sigurtë.

Shtetet e Bashkuara, sipas Zërit të Amerikës, i kanë premtuar Rusisë se nuk do të kërkojnë dënimin me vdekje të 30-vjeçarit nëse kthehet në atdhe, ku e pret gjykimi për spiunazh. Ish-kontraktori i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar qëndron prej një muaji në zonën tranzit të Sheremetievos, në pritje të strehimit të përkohshëm politik në Rusi.

Drejtori i Këshillit Publik të Shërbimit të Emigracionit, Vladimir Volokh, thotë se nëse Snoudeni largohet nga aeroporti, Moska nuk mund të garantojë sigurinë e tij.

“Si person në kërkim, për Snoudenin nuk është mirë të lëvizë lirisht nëpër Rusi. Zona tranzit e aeroportit, e cila mbetet nën juridiksionin e Shërbimit të Emigracionit, është sipas mendimit tim, vendi më i sigurtë për të”, tha Volokh.

Presidenti rus Vladimir Putin ka refuzuar ta ekstradojë 30-vjeçarin me argumentin se ai është një njeri i lirë. Avokati i Snoudenit pretendon se sapo të ketë në dorë dokumentet përkatëse, ish-kontraktori i NSA-së do të përpiqet të bëjë një jetë normale në Rusi, të paktën për momentin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB