Shpallja “non grata” e gazetarit të TCH

30/07/2013 22:45

Pak kohë pasi deputetja greke, Maria Janakaqi, kishte kërkuar interpelancë me ministrin grek, lidhur me shpalljen “non grata” të gazetarit të Top Channel, Marin Mema, Zyra Diplomatike e zv/ministrit të Jashtëm ka kthyer një përgjigje zyrtare, duke konfirmuar se gazetari Mema vijon të jetë “non grata”.

Në shkresën e kësaj Ministrie, thuhet: Gazetari Marin Mema ka tentuar, që disa herë të hyjë në territorin e Greqisë për të kryer reportazhe, por pa u pajisur me bazën e nevojshme ligjore për të kaluar kamerat dhe pajisjet, gjë kjo e cila, sipas shtetit grek, e ka bërë atë person të rrezikshëm, duke i ndaluar atij hyrjen në shtetin fqinj për një periudhë të pacaktuar.

Në të njëjtën shkresë, Ministria e Jashtme e Greqisë, sqaron se ky problem qëndron vetëm me gazetarin Marin Mema, pasi për gazetaren maqedonase, Ivana Kostovka, është revokuar masa e ndalimit të hyrjes në shtetin grek.

Ka qenë deputetja e Partisë Dimar, Maria Janakaqi, e cila ka kërkuar shpjegime nga ministri i Rendit publik dhe Mbrojtjes së qytetarëve për këtë veprim, si dhe për ndalimin e një gazetareje maqedonase.

Në kërkesën për interpelancë, Janakaqi theksonte se “Më 19 gusht 2012, i është ndaluar hyrja në vendin tonë gazetarit të Top Channel, në Tiranë, Marin Mema, pasi emri i tij ishte i shënuar në regjistrin e personave të padëshiruar. Këto veprime bien ndesh dhe shkelin rëndë të drejtat e njeriut, lirinë e lëvizjes së lirë dhe lirinë e shprehjes. E mbi të gjitha lirinë e gazetarëve, duke e shfaqur vendin tonë, në arenën ndërkombëtare, si një shtet të frikësuar. Mbi të gjitha, këto ngjarje krijojnë një klimë negative në marrëdhëniet e Greqisë me këto vende”.

Por, pavarësisht këmbënguljes së deputetes greke dhe të shoqatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, gazetari i Top Channel, Marin Mema, vijon të jetë person me rrezikshmëri të lartë për shtetin grek.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA