Kolegji Zgjedhor rrëzoi të martën kërkesën ankimore për pavlefshmëri në të gjitha qarqet e vendit, kërkuar nga Partia Popullore Kristian Demokrate.
Kolegji nuk i shqyrtoi kërkesat për pavlefshmëri në një sërë qarqesh, pasi ankimimi për to ishte bërë jashtë afatit ligjor.
Ky vendim i Kolegjit i hap rrugën KQZ-së që brenda 3 ditëve të bëjë ndarjen e mandateve për këto qarqe dhe për mungesë kuorumi në vendimmarrje t’ia kalojë sërish Kolegjit për miratim.
Përjashtim nga këto afate bën vetëm qarku i Lezhës, i cili është ankimuar nga Partia Demokratike, e cila kërkon rinumërim të votave.
Kërkesa e demokratëve do të shqyrtohet të mërkurën nga Kolegji Zgjedhor, i cili një javë më parë e quajti rinumërimin e Lezhës nga KQZ si një proçedurë antiligjore.
Për shkak të këtij vendimi, PD iu drejtua Kolegjit për rinumërim. Përveç vonesës së shpalljes së rezultatit përfundimtar, cilido të jetë vendimi i Kolegjit nuk ka pasoja në shpërndarjen e mandateve.
Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parashikohet të bëhet pas vendimit të Kolegjit për Lezhën, që në respekt të afateve ligjore do të merret brenda 10-ditëshit të parë të gushtit, plot një muaj e gjysmë nga përfundimi i zgjedhjeve.
Top Channel