
Bisedimet për paqen në Lindjen e Mesme kanë rifilluar pasi negociatorët izraelitë dhe ata palestinezë darkuan në Uashington me sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry.
Zoti Kerry deklaroi se ishte një moment “shumë, shumë i veçantë”, pasi negociatorët mënjanuan rregullin tradicional në muajin e Ramazanit.
Më herët presidenti amerikan Barack Obama mirëpriti nisjen e bisedimeve, por paralajmëroi se palët duhet të marrin “vendime të vështira”.
Dialogu rifilloi pas tre vjetësh, pasi Izraeli aprovoi lirimin e mbi 100 të burgosurve palestinezë. Të burgosurit, çështja e të cilëve përçau kabinetin izraelit, pritet të lirohen në faza të ndryshme në muajt e ardhshëm.
Në pesë muajt e fundit zoti Kerry ka zhvilluar gjashtë vizita zyrtare në Lindjen e Mesme, në përpjekje për të rifilluar negociatat mes palëve.
Në tryezën e së hënës në selinë e Departamentit të Shtetit, zoti Kerry e cilësoi si “të mrekullueshme” ardhjen e negociatorëve në Uashington.
Ai tha se gjithçka ishte “shumë, shumë e veçantë” dhe bëri një lojë fjalësh kur tha: “Ata nuk kishin shumë gjëra për të folur”.
I ulur përballë zotit Kerry ishte kryenegociatori izraelit, ministrja e Drejtësisë Tzipi Livni, ndërsa pranë saj homologu palestinez, Saeb Erekat.
Edhe ish-ambasadori amerikan në Izrael, Martin Indyk, i caktuar si i dërguari i posaçëm i SHBA për bisedimet, mori pjesë në këtë “iftar”, siç njihet ndryshe vakti tradicional në fund të ditës së agjerimit gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Top Channel