
Në kuadër të analizës postzgjedhore për rezultatin e arritur në garën
elektorale të 23 qershorit, Partia Fryma e Re Demokratike mbajti një
takim në selinë e saj në Tiranë, ku morën pjesë anëtarët e Kryesisë
Qendrore, si edhe kryetarët e degëve të saj në rrethe.
Në fjalën e tij, kreu i kësaj partie, Bamir Topi, falënderoi anëtarët e FRD-së për përkushtimin e tyre në sfidën elektorale të 23 qershorit, duke evidentuar Kodin Zgjedhor si një disavantazh për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare. “Ishte përkushtimi dhe karakteri pozitiv i gjithsecilit prej jush, që edhe pse nën presion të vazhdueshëm nga pushteti e në disavantazh nga kodi elektoral, e bëri në një vit FRD-në konkurrente të denjë. Kjo, akoma më shumë i siguron asaj, vijimësinë e sigurt në skenën politike shqiptare”, tha Topi.
Ndër të tjera, gjatë takimit u trajtua edhe situata politike në vend dhe u vendos fillimi i një analize në të gjitha strukturat në nivel kombëtar, proces i cili sipas Topit, do të mbyllet me mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të FRD-së, në fund të muajit shtator.
“Të dhënat konkrete, që do të marrim në shqyrtim, do të na ndihmojnë që së bashku, ta konsolidojmë më tej FRD-në. Në çdo hallkë të strukturave të FRD-së, do të ketë njerëz të zgjedhur, e jo të emëruar”, theksoi kryetari i FRD-së. Sa i përket rezultatit, burime nga kjo parti theksuan për gazetën “Shqip” se gjysma e anëtarësisë janë larguar qysh para zgjedhjeve dhe kanë votuar parti të tjera.
“Rezultati e tregon qartë këtë, ku vetëm në Tiranë kanë rrjedhur mbi 3 mijë vota nga anëtarësia. Një pjesë tjetër janë super të zhgënjyer nga qëndrimi që u mbajt nga disa drejtues lokalë të FRD-së, që ishte krejt mosmirënjohës. Fakti që u cilësua një parti lokale, bëri që të dështonim në këtë palë zgjedhje”- thanë burime nga FRD-ja në analizën e tyre për rezultatin e arritur më 23 qershor.
Top Channel