
Morti ka hapur dyert në familjen Isufaj në lagjen “Apollonia” të qytetit
të Fierit. Qindra të afërm, miq e dashamirës kanë shkuar për të ngushëlluar familjarët e 34-vjeçarit
Sokol Isufaj, të cilët banojnë në katin e dytë të një pallati në lagjen
“Apollonia”.
Prindërit qajnë ndarjen nga jeta të djalit të tyre të vetëm. Humbjen e të dashurit të tyre e ndjenë edhe motra, bashkëshortja dhe dy fëmijët e Sokolit, të cilët mbetën jetimë, për shkak se një adoleshent qëlloi me breshëri automatiku në plazhin e një resorti në Ujin e Ftohtë në Vlorë. Të lënduar nga dhimbja, familjarët dhe të afërmit e Sokolit kanë kërkuar zbardhjen e ngjarjes, duke theksuar para mediave se 34-vjeçari ishte një djalë shembullor e që shikonte punën e tij dhe se nuk ka pasur asnjë lidhje me krimin. Ndërkaq, ata kanë kundërshtuar dyshimet e ngritura në media se ngjarja mund të kishte lidhje me vrasjen e deputetit të Partisë Socialiste Fatmir Xhindi. Ata kanë pohuar se ngjarja e të dielës nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e Fatmir Xhindit, duke sqaruar se edhe dy vëllezërit e këtij të fundit kanë shkuar për ngushëllim në familjen e Sokol Isufaj. Ndërkaq, të tjerë të afërm të Isufajve kanë shtuar se fisi i tyre kishte lidhje krushqie me familjen Xhindi dhe se nuk kishte arsye, apo dyshim që të ndodhte një gjë e tillë mes tyre.
Më tej familjarët kanë pohuar se Sokoli ka qenë një djalë punëtor, i pangatërruar me askënd dhe se nuk ishte njeri konfliktual. Ata kanë theksuar se vrasja mund të ketë qenë aksidentale dhe se nuk ka pasur lidhje me të ndjerin. Sipas tyre, Sokoli ka punuar si elektricist në një stacion pompimi në hidrovor dhe ka pasur shumë raste që ka punuar edhe turni i tretë dhe se, nëse dikush mund të kishte si qëllim për ta vrarë, mund ta bënte atë gjë kur ai qëndronte i vetëm gjatë orëve të natës. Ata i kanë cilësuar si absurde dyshimet e ngritura paraprakisht se Sokoli kishte qenë objekti i atentatit. Në familjen e Isufajve kanë qenë për ngushëllime edhe fqinjët, të cilët e përshkruajnë Sokolin si një person tepër korrekt në marrëdhënien që ndërtonte me njerëzit dhe sidomos banorët e pallatit. Ata kanë shtuar se jo vetëm Sokoli, por edhe pjesëtarët e tjerë të familjes kanë qenë mjaft bashkëpunues, të gjendur e të respektueshëm.
Sokol Isufaj ishte babai i dy vajzave të mitura, të cilat tashmë mbetën jetime. Ai jetonte në lagjen “Apollonia” të Fierit dhe nga verifikimet e policisë ka rezultuar se nuk ka pasur problem me askënd e as me ligjin. Në orën 15:00 të ditës së djeshme, 34-vjeçarit Sokol Isufaj i është dhënë lamtumira e fundit nga familjarët e tij dhe është përcjellë për në banesën e fundit. Pohimet e të afërmve dhe të banorëve të lagjes “Apollonia”, që e njihnin nga afër Sokolin, kanë rezultuar të jenë të njëjta me hetimet paraprake të Policisë së Fierit. Nga burime të bluve të Fierit është mësuar se 34-vjeçari Sokol Isufaj nuk ka qenë objekt i sulmit me armë zjarri dhe, sipas tyre, predhat e fishekëve të kallashnikovit e kanë kapur aksidentalisht.
Top Channel