Një person vdiq dhe 35 të tjerë janë plagosur, katër prej të cilëve në gjendje të rëndë, në një përplasje mes dy trenash në ecje në perëndim të Zvicrës.
Përplasja ndodhi në lokalitetin Granzhe Marnand, rreth 50 kilometra në jug-perëndim të kryeqytetit Bernë. Raportohet se trenat rajonalë u përplasën në mënyrë ballore, në orët e pasdites së të hënës, teksa udhëtonin mes Pajernës dhe Lozanës.
Televizioni publik SRF citoi zëdhënësin e policisë së kantonit të Vaudit, Pierre Olivere Gaudard, të thoshte se një person duhet ende të rekuperohet nga vagonët, e më pas u mësua se makinisti konsiderohet i humbur. Në vendngjarje mbërritën policia, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore të ndihmës së parë.
Ky muaj është karakterizuar nga incidente të shumta hekurudhore, mes të cilëve spikat ai i Spanjës ku humbën jetën 79 persona.
Më herët incidente të ngjashme u regjistruan në Francë dhe Kanada, ku gjithashtu pati viktima, ndonëse më pak se në rastin e Spanjës.
Përveç incidenteve hekurudhore, nuk munguan edhe ato rrugore, ku veçohet ai në Itali, me 38 viktima dhe një në Rusi me 18 të vdekur. Të jetë vallë rastësi?
Top Channel