Tiranë, grabitet pika e këmbimit valutor

29/07/2013 00:00

Tre të mitur, mes të cilëve dy vajza, kanë grabitur një pikë ‘Exchange’
në qendër të Tiranë, por brenda pak minutash kanë rënë në prangat e
policisë së kryeqytetit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00, në një pikë të këmbimit valutor në rrugën e Durrësit, nga ku autorët kanë mundur të grabisin 10 mijë euro. Pas ngjarjes ata janë përpjekur të largoheshin në drejtim të qendrës së kryeqytetit, por janë arrestuar nga forcat e policisë.

Nga të dhënat e para mësohet se tre të miturit, një djalë dhe dy vajza të moshës 14 dhe 16-vjeçare, janë futur në pikën e “Exchange”, të pa armatosur dhe njëra nga vajzat ka marrë dy vazo dhe i ka lëvizur për t’i tërhequr vëmendjen punonjëses së pikës “Exchange”. Ndërkohë që bashkëpunëtorja e saj është futur menjëherë në pjesën e banakut dhe ka mundur të marrë 10 mijë euro.

Më pas ato janë larguar të qeta, por sapo ka pikasur mungesën e valutës, punonjësja ka lajmëruar policinë e cila ka mbërritur brenda pak minutash në vendngjarje dhe ka bërë të mundur ndalimin e tre të miturve, të cilëve u është gjetur edhe shuma prej 10 mijë eurosh.

Top Channel