
“Nëse një person është homoseksual dhe kërkon t’i afrohet Zotit, ka vullnet të mirë, kush jam unë që ta gjykoj?”. Papa Françesk tha se homoseksualet nuk duhet të margjinalizohen, por të integrohen në shoqëri.
Duke folur për gazetaret në avion, gjatë kthimit nga Brazili, ai rikonfirmoi qëndrimin e Kishës Katolike se “aktet seksuale janë mëkatare, por orientimi nuk është”. Në fakt, ai po i përgjigjej pyetjes për një “lob gay” në Vatikan.
“Problemi nuk është të mos e kesh këtë orientim. Ne duhet të jemi vëllezër. Problemi është të lobosh me këtë orientim, apo lobet e njerëzve të pasur, lobet politike, lobet masonike, kaq shumë lobe… Ky është problemi më i rëndë”, u shpreh Papa.
Deklarata e tij për homoseksualitetin shihet si më pajtuese krahasuar me reagimet e paraardhësve të tij për këtë çështje. Papa Benedikti XVI firmosi një dokument në vitin 2005, përmes të cilit shpjegoi se njerëzit me prirje homoseksuale nuk duhet të jenë priftërinj.
Papa Françesk tha se klerikët “gay” duhet të falen dhe mëkatet e tyre të harrohen. Gjatë një interviste të gjatë prej 80 minutash, Papa Françesk tha se: “Katekizmi i Kishës Katolike e shpjegon më së miri këtë”.
Ai foli për një rol më të madh të grave në Kishe, por këmbënguli se “ato nuk mund të bëhen priftëresha”. Sa i takon Bankës së Vatikanit, ai tha se institucioni duhet të jetë “i ndershëm dhe transparent” dhe se do të dëgjojë këshillat nëse duhet të reformohet apo të mbyllet plotësisht.
Përpara se të linte Brazilin, Papa Françesk dha një intervistë të pazakontë për televizionin Globo. I pyetur për protestat e të rinjve në rrugët e Brazilit, ai tha se: “I riu është një antikonformist dhe kjo është diçka e bukur”.
Ndërsa sa i takon stilit modest të jetës së tij, ati i shenjtë shpjegoi se: “Nuk është shembull i mirë që një prift të ketë makinën e fundit. Në këtë moment besoj se Zoti po na kërkon më shumë thjeshtësi”. Papa mbërriti në Romë pas një turi të gjatë njëjavor në Brazil, udhëtimi i parë si kreu i Kishës Katolike.
Top Channel