Një burg në veri-perëndim të Pakistanit është sulmuar nga militantët, bëjnë të ditur zyrtarë pakistanezë. Sulmi në qelitë e qytetit të Dera Ismail Khan nisi me disa shpërthime, sipas raportimeve.
Persona të armatosur hapën më pas zjarr, me granata e raketa në lëvizje e sipër, si dhe me armë automatike, i tha shefi i policisë Sohail Khalid agjencisë së lajmeve Reuters.
Burgu strehon qindra talebanë dhe militantë nga grupet e tjera terroriste, raporton agjencia. Luftimet nisën në orët e vona të së hënës dhe vazhdojnë ende.
Sulmuesit kanë qenë duke thirrur “Zoti është i madh” dhe “Jetë të gjatë talebanëve”, njoftuan zyrtarët për Associated Press.
Një rezident lokal tha për këtë agjenci se shpërthimi fillestar ishte shumë i zhurmshëm, “aq sa tronditi çdo shtëpi pranë tij”. Njerëzit e armatosur kishin veshur uniforma policie, thonë zyrtarët.
Komisioni civil i qytetit, Mushtaq Jaddon, tha për Reuters se “dhjetra” të burgosur kishin mundur të arratiseshin. “Talebanët kishin altoparlantë dhe thërrisnin emrat e shokëve të tyre”, tha ai.
Kreu i departamentit të burgjeve provinciale, Khalid Abbas, tha për Associated Press se autoritetet kishin marrë një letër, ku shkruhej për sulmin ndaj burgut, por nuk e prisnin të ndodhte kaq herët.
Qindra të dënuar u liruan nga një ofensivë në burgun e Bannu-së, në veri të Pakistanit, në prill të vitit të kaluar. Dera Ismail Khan është qyteti kryesor në provincën Khyber-Pakhtunkhwa, një zonë e trazuar e rajonit malor fisnor.
Top Channel