FBI deklaron se ka shpëtuar 105 fëmijë dhe ka arrestuar 150 persona në 76 qytete amerikane gjatë fundjavës, në një operacion kundër prostitucionit me të mitur.
Shumica e fëmijëve u shpëtuan në qytetet San Francisko, Detroit, Miluejk, Denver dhe Nju Orlins.
Asistent drejtori i FBI-së, Ronald Hosko deklaroi se bastisjet e kryera në kuadër të operacionit “Cross Country” kanë qenë më të mëdhatë që ka kryer zyra federale ndonjëherë.
Byroja Federale e Hetimeve saktëson se rreth 2700 fëmijë janë shpëtuar në operacione analoge që prej vitit 2003. Fëmijët e trafikuar ishin kryesisht vajza të moshave nga 13 në 17 vjeç.
Ato ishin prostituuar në lokalitete të ndryshme, përfshirë këtu në stacione kamionesh, kazino, motele, si dhe në rrjetet sociale e në njoftime të ndryshme online.
Zyrtari Ronald Hosko deklaroi se të akuzuarit vinin në shënjestër adoleshente të pambrojtura dhe i shfrytëzonin për një periudhë kohe.
“Vajzat josheshin me komplimente ose oferta të tipit: dëshiron të fitosh ca para”, saktësoi zyrtari i FBI-së. “Më pas ato futeshin në kurthin e këtij rrethi ku përfshihej drogimi, abuzimi fizik dhe në disa raste tortura”, shtoi ai.
Që prej vitit 2003, rreth 1350 persona janë dënuar për raste të tilla, përfshirë 10 dënime me burgim të përjetshëm për tutorët e vajzave të mitura.
Top Channel