Debate të thata në këto ditë vere

29/07/2013 00:00

Ilir Yzeiri – Hapësira publike shqiptare, në këto ditë të nxehta vere,
po mbushet me debate të thata, nganjëherë edhe të kota që përsërisin po
të njëjtin refren, që vizatojnë po të njëjtën gjendje dhe që paraqesin
po të njëjtin imazh të shqiptarëve herë të inatosur e herë tjetër me
islamikë nga Kosova që e shohin vjetërsinë e tyre mbi tokë te mbiemrat
Hoxha, Islami apo ndonjë mbiemër tjetër kësodore, duke lënë të
nënkuptojnë se ajo pjesë e historisë apo e vetëdijes kombëtare që ka
Gjergjin e Kastriotëve brenda apo Barletin, Buzukun, Budin, Bardhin apo
Bogdanin nuk është më e tyrja.

Në këto ditë të thata vere, ish-kryetari i PD-së dhe çeta që i rri pas vijojnë të njëjtin rrëfim dhe recitojnë po të njëjtin tekst, atë të luftës me kundërshtarin me drogë e me krim dhe na bëjnë me dije se të njëjtin avaz ne do ta dëgjojmë sërish e sërish edhe në ditët me shi, edhe në ato me erë, edhe në netët e gjata edhe në ditët e shkurtra që do të vijnë. Ky njeri me emrin Sali Berisha, megjithëse është neveritur nga pjesa dërrmuese e shqiptarëve, vijon të sillet si një njeri pa asnjë vlerë, si një burrë pa asnjë lloj dinjiteti, vijon të sillet si ato qeniet e liga që kryejnë vetëm një funksion: nxjerrin nga goja vetëm llum të zi dhe të pështirë. Në ligjërimin politik shqiptar, Sali Berisha është aksidenti më i rëndë dhe katastrofa epike që e ka masakruar rrëfimin politik duke i dhënë erën e rëndë të fjalëve të ndyra dhe peshën e lehtë të marrëzive. Deri edhe ambasadori italian u detyrua të thoshte se është mirë që ai të mos e prishë pozitivitetin e paszgjedhjeve, thënë ndryshe, është mirë që të mos flasë, sepse sa herë që ai hap gojën, një duhmë e rëndë prej budallai e një llum i zi e i trashë prej njeriu të rrugës del nga goja dhe hapësira mbushet me kutërbimin e një fjalori që përsëritet vit më vit, verë më verë, korrik më korrik. Në anë tjetër, hapësirës publike iu shtua edhe një karikaturë. Ai është Lulzim Basha i cili, siç e dimë, u zgjodh me votim alla hitlerian kryetar i PD-së. Këtë karikaturë që zbardh dhëmbët vend e pa vend e që lëshon lloj-lloj broçkullash me lumenj që do ta hedhin ujin përpjetë diku andej nga stacioni i trenit, me bulevarde që do të shkojnë deri në Zall Bastar e plot marrëzira të tjera që ai i shqipton duke treguar ca shtëpiza me bukë peshku, tani do ta kemi në krye të PD-së, por jo të opozitës. Ky njeri që e nisi karrierën publike me vjedhjen e shekullit, që e përsosi atë me vrasjen e katër personave në mes të Bulevardit, u bë loloja i një fushate banale, ku militantët e gjorë të PD-së u mashtruan e u gënjyen duke iu thënë se kryetari i ri do të zgjidhej me votim, jo me emërim. Mirëpo kjo do të ishte njësoj sikur në shtëpinë publike të mbaheshin leksionet mbi të mirat e virgjërisë te meshkujt e femrat në kohë krize. Siç edhe pritej, këtë farsë e kundërshtuan disa demokratë deri edhe nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi. Mirëpo, bash atëherë kur nuk e prisnim, mu atëherë kur të gjithë ishim të hutuar nga temperaturat e vapës së muajit korrik që u rritën tani në fund si për inat, pikërisht në këtë çast, nga një podium x flet një zonjë me emrin Arenca Trashani dhe thotë se Astrit Patozi ka marrë shumë nga PD-ja dhe në vend që të rrijë urtë e shan atë. E mrekullueshme! Trashani është deputetja që ka folur në dhjetë vjet vetëm katër herë. Dhe ajo foli tani në muajin korrik në debatet që po zhvillohen në verë. Do të mjaftonte vetëm kjo deklaratë spektakolare e Arencës që gjella e gatuar në këta muaj të hiqej nga zjarri, sepse tani ajo e mori edhe kripën. Arenca dhe Tritan Shehu do të mbeten në kujtesën kolektive si deputetët që na kanë hequr mërzinë dhe na e kanë bërë jetën më të lehtë. Prej tyre unë të paktën kam kuptuar se demokracia është një komedi brilante, se jo të gjitha të këqijat na vijnë prej politikanëve. Ndërkaq, në kampin tjetër ende nuk dallon dot ndonjë shenjë që të të ngrejë tonusin. Gjithçka është brenda stinës së verës: e thatë dhe monotone. Nganjëherë të merr gazi kur sheh se sa shkrime botohen përditë për platformën në arsimin e lartë për t’i kujtuar Edi Ramës që ministri i ardhshëm i Arsimit duhet të jem unë, por edhe unë, po përse jo unë. Shumë shkrime për platformën në arsim dhe shumë ëndrra për ministër në këto ditë vere. Thuajse çdo ditë botohen lajme për skandalet e qeverisë në ikje, për koncesione që kapin vlera prej miliona eurosh në vit dhe me to nuk merret asnjë opinionist, asnjë gazetar, madje një të tillë nuk e paska gjetur as edhe Fatos Lubonja që është magjepsur me gazetaren që i ka thënë Edi Ramës lloj-lloj të vërtetash në sy atje në BBC-në e largët. Mua më duket se A.Shkullaku apo H.Çili i thanë shumë të vërteta në sy Edi Ramës dhe Andrea Stefani i ka thënë shumë e shumë të tilla kur ai bëri ndryshimet kushtetuese me Berishën, por jemi në verë dhe jo të gjitha gjërat thuhen e mbahen mend. Fjala vjen a do ta mbajë mend Edi Rama se kjo qeveri, sipas akuzës që bën kryetari i Dhomës së Tregtisë Nikolin Jaka, paska dhënë një koncesion ministror të taksimit me mbi 30 euro për çdo kontejner. Këtë lajm e raportonte “Top Channel” në edicionet e ditës së shtunë (27.07.2013). Mitro Çela fliste për amnezinë e deputetëve disa ditë më parë. Unë uroj që në këto ditë vere të cilat kanë nisur të bëhen edhe të nxehta, të mos harrojmë se më 23 qershor, Shqipëria kreu një pranverë të vërtetë shqiptare, edhe pse pas saj ka ardhur një verë e thatë, monotone dhe e nxehtë tani në fund.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA