Kriza ekonomike në Portugali

28/07/2013 17:00

Kriza ekonomike e ka zhytur Portugalinë në një paqëndrueshmëri politike, së cilës nuk i duket fundi.

Por, ekspertët mendojnë se situata mund të ndryshojë, nëse kreditorët ndërkombëtarë do ta zbusin diktatin e kursimit për vendin. Vetë portugezët shpresojnë se qeveria e re do të ofrojë impulse të tjera për të luftuar recesionin, që vazhdon prej tre vjetësh.

Më problematike është sidomos rritja e TVSH-së për gastronominë, e cila rrezikon gati 100 mijë vende pune. Pronarët e restoranteve urojnë, që qeveria e re ta ulë sërish këtë taksë, siç ndodhi edhe në Greqi.

Mosmarrëveshjet mbi politikën ekonomike të vendit kanë qenë, sipas shumë vëzhguesve politikë, një nga arsyet për krizën brenda koalicionit. Ndërsa kryeministri, Pedro Passos Coelho, e kishte vendosur theksin e politikës së tij te reduktimi i deficitit, opozita luftoi muajt e fundit kundër rritjes së re të taksave.

Vëzhguesit e huaj mendojnë se, ndryshimet në politikën ekonomike janë të mundshme, duke qenë se ekzekutivi i ri i ka të gjitha instrumentet në dorë, për ta bërë një gjë të tillë. Por, diapazoni i veprimit të tij varet së tepërmi nga vullneti i kreditorëve ndërkombëtarë.

Dhe, në bisedimet me Trojkën, buxheti për vitin 2014 do të luajë një rol të rëndësishëm. Por, nëse qeveria e re nuk do t’i mbajë premtimet zgjedhore, për të reduktuar borxhin, për të nxitur ekonominë dhe për të zvogëluar papunësinë, atëherë paqëndrueshmëria në Portugali pritet të thellohet, një situate kjo që, në këndvështrimin e politologëve, mund të shmanget vetëm me lehtësimin e kushteve të kreditorëve ndërkombëtarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA