Çertifikimi i rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, edhe pse ka kapërcyer një muaj nga përfundimi i garës, nuk është ende pranë finalizimit.
Është qarku i Lezhës, që vijon betejën institucionale mes palëve, këtë herë në Kolegjin Zgjedhor. Pranë Gjykatës së Apelit, për qarkun më problematik të këtyre zgjedhjeve, ka tre kërkesë-padi.
Partia Socialiste kërkon pavlefshmëri në gjashtë Qendra Votimi, Partia Demokratike rinumërimin e 14 QV-ve dhe Partia Popullore Kristian Demokrate, që kërkon pavlefshmëri në të gjitha qarqet, ku përfshihet edhe Lezha.
Ndërsa dy partive më të mëdha në vend, Kolegji ua ka përcaktuar shqyrtimin e kërkesave ditën e mërkurë, për shkak të bashkimit të çështjeve, shqyrtimi i Lezhës mund të afrohet të martën, kur Kolegji ka përcaktuar shqyrtimin e kërkesës së Partisë Popullore Kristian Demokrate.
Nëse në rastin e kërkesës së kësaj të fundit nuk pritet asnjë surprizë, në vendimmarrjen e Kolegjit, ashtu sikundër edhe rrëzimi apo pranimi i kërkesës së PD, nuk ka pasoja në shpërndarjen e mandateve të qarkut të Lezhës, në çdo rast ai i mbetet koalicionit të djathtë.
Vendimi, që mund të ndryshojë situatën dhe që pritet me interes, është ai për kërkesën e Partisë Socialiste. Partia më e madhe e së majtës, përmes kërkesës së pavlefshmërisë së 6 Qendrave të Votimit, konkludon në përfundimin se cënimi i zgjedhjeve në to çon automatikisht në ripërsëritjen e procesit në këtë qark.
Numri i zgjedhësve, që kanë votuar në këto 6 Qendra Votimi, është 2385, shumë herë më i madh se numri i nevojshëm për caktimin e një mandati në zonën zgjedhore Qarku Lezhë, thotë Partia Socialiste.
Mandati i fundit për këtë qark është ndarë me vetëm 39 vota, në favor të Partisë Demokratike, sipas rezultatit përpara rinumërimit, por shumë herë më i madh edhe pas këtij procesi, ku diferenca mes koalicioneve u thellua në 750 vota për koalicionin e djathtë.
Sipas këtyre shifrave, mjaftojnë vetëm 20 vota të lëvizin, që të ndryshojë gjithashtu edhe mandati, shprehet PS në kërkesë-padi.
Aktualisht, Lezha është e ndarë në mandate: 4 e djathta dhe 3 e majta. Momentalisht, në rang vendi, 83 mandate ka koalicioni fitues i udhëhequr nga PS dhe 57 koalicioni i djathtë i udhëhequr nga PD.
Nëse, në fillim të kësaj jave, rrëzohet kërkesa e PS për Lezhën, pritet të miratohet kjo ndarje e mandateve nga Kolegji Zgjedhor, brenda ditëve të para të gushtit. Por, nëse kërkesa e Partise Socialiste pranohet dhe Lezha shkon në ripërsëritje të zgjedhjeve, rezultati përfundimtar dhe çertifikimi i zgjedhjeve mbeten mundësi të hapura.
Top Channel