Brazil, shërbesa e Papa Françeskut

28/07/2013 00:00

Tre milionë vetë, më shumë se të gjitha parashikimet, u mblodhën në plazhin Kopakabana të Brazilit për shërbesën e mbrëmjes së të shtunës, drejtuar nga Papa Françesk. Njerëzit nuk kanë lëvizur nga vendi për të mos humbur gjithashtu edhe meshën që Ati i Shenjtë mban më vonë gjatë ditës.

Në fjalën e tij, Papa argjentinas i kërkoi pelegrinëve të mos jenë të krishterë me kohë të pjesshme, por të bëjnë një jetë kuptimplotë, ndërsa përmendi edhe protestat e javëve të fundit në vend.

“Të rinjtë nëpër rrugë duan të jenë protagonistët e ndryshimit. Ju lutem, mos lejoni të tjerët të jenë aktorë të ndryshimit, jeni ju ata që e keni të ardhmen në duart tuaja. E ardhmja e gjithë botës vjen nëpërmjet jush”, tha Papa.
 
Pas pjesëmarrjes në eventin më të madh rinor katolik, Françesku largohet nga Brazili duke i dhënë fund kështu vizitës pesëditore në këtë vend që shënoi dhe rrugëtimin e tij të parë jashtë kufijve në cilësinë e kreut të Kishës Katolike. Përgjatë tre dekadave të fundit kisha ka humbur miliona besimtarë, të tërhequr nga sekte më të vogla të krishtera. Ajo që Françesku dëshiron të arrijë është të shtojë numrin e laikëve në radhët e saj. Për ekspertët, një veprim i tillë mund të shkaktojë revolucion në universin katolik. Shumë njerëz kanë nisur t’i bëjnë vetë shërbimet e tyre fetare pa mbështetjen e klerikut.

Rivlerësimi i laikëve korrespondon me frymën e Këshillit të dytë të Vatikanit, i cili u mbajt nga vitet 1962-1965. Ai shërbeu për rinovimin dhe rifreskimin e parimeve dogmatike të udhëheqjes së kishës në Romë. Në mesin e pjesëmarrësve ishin papët e mëvonshëm Karol Vojtila dhe Joseph Ratzinger, i cili atëherë ishte për një “kishë më pak klerikale”.

Top Channel