Bie fluksi i pushuesve në Shqipëri

28/07/2013 19:30

Për dy muajt e parë të sezonit veror, statistikat flasin për një ulje të ndjeshme të shtetasve shqiptarë, që kanë preferuar të kthehen në vendlindje.

Referuar me të njëjtin hark kohor të vitit të kaluar, raportohet se për qershor-korrik 2013 kanë hyrë gati 100 mijë më pak shtetas shqiptarë, nëpërmjet pesë pikave kufitare më të mëdha në vend.

Ndërsa për të njëjtën periudhë, të dhënat e policisë tregojnë se në Shqipëri kanë hyrë gati 650 mijë shtetas shqiptarë, për këtë vit trendi është në ulje, me një shifër prej 505 mijë e 773 shtetas shqiptarë.

I pyetur për këtë trend, shefi i qendrës operative të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, kryekomisar Bilbil Dervishi shpjegon: Ka një trend në ulje, por nuk është e madhe. Ne presim që kur të marrin pushimet të vijnë më shumë, pra gushtin e parashikojmë me fluks.

Referuar të njëjtave statistika, ulje shënohet edhe për hyrjet në Shqipëri të shtetasve të huaj, pavarësisht se vendin e parë të shtetasve, që preferojnë të kalojnë verën në Shqipëri, e zënë kosovarët.

Konkretisht, nga pothuajse 600 mijë shtetas të huaj, që kanë hyrë për qershor-korrik 2012 në Shqipëri, gati 480 mijë prej tyre raportohen të kenë hyrë nga pika kufitare e Morinës.

Ndërkohë që, panorama për shtetasit e huaj, ku policia radhit edhe shqiptarët e Kosovës, është e tillë për këtë vit, me një shifër hyrjesh prej rreth 470 mijë personash, prej të cilëve 290 mijë mendohen të jenë kosovarë, që kanë hyrë po nga Morina.

E vetmja pikë kufitare, që raportohet të ketë ruajtur të njëjtin nivel hyrjesh, është pika e kalimit kufitar në Qafë Thanë, si dhe Kapshtica deri diku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA