Siri, rebelët masakër në Khan Asal

27/07/2013 21:50

Televizioni sirian i shtetit akuzon “grupe terroriste të armatosura” se kanë kryer një masakër civilësh dhe ushtarësh në Khan Asal, qytet në afërsi të Alepos.

Lajmi vjen një ditë pas publikimit të pamjeve të Vëzhguesit kombëtar për të drejtat e njeriut në Siri mbi vrasjen e dhjetëra militantëve dhe ushtarëve besnikë të regjimit në qytetin e vogël.

Sipas të njëjtit burim, përgjegjës për këtë masakër dyshohet se është grupi xhihadist “Brigata e shokëve islamikë”.

Pak ditë më parë ishte sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon që deklaroi nga zyrat qendrore të OKB-së në Nju Jork se mbi 100 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e konfliktit në Siri.

Në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili nënvizoi se duhet gjetur një zgjidhje sa më e shpejtë politike për t’i dhënë fund konfliktit.

Në të kaluarën OKB-ja ka theksuar se statistikat e saj nuk janë plotësisht të sakta sepse shumë vrasje nuk raportohen. Mendohet se rreth 1.7 milionë sirianë janë larguar vendi i tyre dhe janë strehuar në vendet fqinje.

“Aksionet e dhunshme duhet të ndalojnë menjëherë nga të dyja palët dhe është e domosdoshme që të mbahet një konferencë paqeje në Gjenevë sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Ban Ki Moon.

“Ka vetëm një zgjidhje politike, e cila ka nevojë për një lidership të fortë, që t’i ulë palët në tavolinë. Ne do të përpiqemi në maksimumin tonë, që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha nga ana tjetër Kerry, në cilësinë e kryediplomatit të Shteteve të Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA