Kryebashkiaku i San Diego-s në Kaliforni ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në një “këshillim për sjelljen” e tij, teksa është akuzuar për ngacmime seksuale.
Shtatë gra kanë akuzuar tashmë Bob Filner, 70 vjeç, për ofensiva të padëshirueshme, disa prej të cilave edhe fizike. Komiteti lokal Demokratik votoi 34 pro e 6 kundër, të enjten, për largimin e liderit të qytetit të 8-të më të madh të kombit.
Në një konferencë për shtyp, Filner tha se sjellja e tij ka qenë “e pafalshme”, por nuk deklaroi dorëheqjen nga posti. “Kam kërkuar falje ndaj stafit tim, u kam kërkuar falje grave që kam ofenduar”, tha 70-vjeçari i divorcuar gjatë së premtes.
Ish-kongresmeni vazhdoi më tej: “Jam i përgjegjshëm për sjelljen time dhe mund të marr përgjegjësi për to, duke ndërmarrë veprime, që gjëra të tilla të mos ndodhin më. Kështu, duke nisur nga 5 gushti, do të futem në një klinikë rehabilituese, për t’iu nënshtruar një terapie intensive 2-javore, në mënyrë që të gjej një zgjidhje për sjelljen time”.
Problemet e Filner nisën 2 javë më parë, kur Donna Frye, një ish-këshilltare dhe dikur mbështetëse e tij, bëri thirrje për shkarkimin e tij, duke thënë se kishte prova të mjaftueshme, që ai kishte ngacmuar seksualisht disa gra.
Ai iu përgjigj me një falje përmes një videoje, duke e quajtur sjelljen e tij “të papërshtatshme dhe të gabuar” dhe duke deklaruar se “kam nevojë për ndihmë”.
Më pas, të hënën, ish-drejtoresha e komunikimeve të Filner-it, Irene McCormack Jackson, ngriti një padi ndaj tij dhe ndaj qytetit.
Ai akuzonte se ai i kishte kërkuar të punonte pa të brendshmet, se i kishte thënë që donte ta shihte të zhveshur dhe se e kishte frenuar atë duke e kapur prej krahu, duke bërë avancime të padëshirueshme.
Të enjten në mbrëmje, 4 gra të San Diego-s dolën publikisht me akuzat e tyre të detajuara, në një kanal televiziv lokal.
Votimi i parë për shkarkimin e Filner, javën e kaluar, nga Komiteti Qendror i Partisë Demokratike të San Diego-s, përfundoi me vota të barabarta 24 pro e 24 kundër.
Top Channel