Rinumërimi i kutive të votimit në qarkun e Kukësit nuk e ka ndryshuar rezultatin në 3 per koalicionin e djathtë në një për atë të majtë. Rinumërimi u bë pas miratimit të kërkesës ankimore të LSI për numërim jo korrekt të votave në këtë qark.

“Kolegji Zgjedhor vendos konstatimin e pavlefshmërisë të vendimit numër 740 të KQZ për rrëzimin e kërkesës ankimore numër 21 të LSI, ndryshimin e vendimit numër 666 të KQZ që ka miratuar tabelën përmbledhëse të rezultateve për zonën zgjedhore qarkut Kukës, sipas tabelës pjesë përbërëse të këtij vendimi”, deklaroi trupi gjykues.

Me këtë vendim Kolegji Zgjedhor e çon një hap më përpara përmbylljen e procesit zgjedhor. Për të mbërritur deri në këtë vendim, Kolegjit Zgjedhor iu desh numërimi i 15 kutive të votimit, proces i nisur mesditën e së shtunës.

Pas numërimit të 13 prej 15 kutive, trupa e Kolegjit Zgjedhor u përball me problematikën e dy kutive, kodet e sigurisë të të cilave nuk përputheshin. Ilirian Muho, përfaqësues ligjor i LSI kërkoi moshapjen e tyre, ndërsa përfaqësuesja e KQZ së bashku me atë të PD ishin pro.

Gjykata nuk e miratoi kërkesën e LSI dhe dy kutitë e fundit u hapën. Në fund koalicionit të djathtë iu shtuan edhe 7 vota duke e mbrojtur mandatin me 23 vota në total nga 15 që ishin në numërimin e parë.

“U vërtetua edhe nga procesi transparent i rinumërimit të votave për 15 kuti të votimit të KZAZ-së 9 të qarkut Kukës. Vërejtëm, jo vetëm ne por të gjitha palët, përfshirë ankuesin, se të gjitha pretendimet që kishin ngritur ishin të pabaza, që nuk gjenin përputhje me materialet zgjedhore që ata demonstruan, por edhe në pamjet filmike të cilat pretendonin se i kishin kontrolluar”, deklaroi përfaqësuesi ligjor i PD, Ivi Kaso.

Përfaqësuesi i LSI-së, Iliran Muho hedh hije dyshimi se çfarë kishte ndodhur me ato fletë votimi që nga filmimet dhe ekspertët e gjykatës u konstatuan si të bardha.

“Gjithë thelbi i kërkesës sonë kishte të bënte me pamjet filmike të vëna në dispozicion nga KQZ. Gjatë këqyrjes shfaqeshin fletë votimi të bardha, të cilat në vlerësim të Kodit Zgjedhor duhet të shpallen të pavlefshme. Çuditërisht sot, gjatë rinumërimit të kutive u konstatua se këto fletë mungonin, se nuk ishin më të bardha por të shënuara. Pyetja jonë ka të bëjë se ku shkuan fletët pa shenja dalluese, që grupi i ekspertëve i paraqiti. Natyrisht, kësaj pyetje nuk mund t’i përgjigjemi sot, por do të ketë një hetim të grupeve të specializuara, për të zbuluar nëse ndryshimi është bërë në momentin e numërimit apo atë të magazinimit të kutive”, deklaroi Muho.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA