Itali, ministrja me ngjyrë sulmohet sërish

27/07/2013 00:00

Ministrja e Integrimit e qeverisë së Enrico Letta-s, Cecile Kyenge në Itali është vënë sërish në qendër të incidenteve me sfond racist.

Këtë herë, ndaj ministres me ngjyrë, e para në historinë e kabineteve italiane, është hedhur një banane gjatë një feste të degës së partisë së saj, PD në Romë.

Gjithcka ka ndodhur para kamerave dhe dhjetra personave të pranishëm. Një person është shkëputur nga turma dhe ka hedhur në drejtim të saj një banane. Ministrja nuk reagoi, ndërsa autorët u zhdukën menjëherë, pavarësisht masave të policisë për të parandaluar incidente të tilla të turpshme.

Kyenge fillimisht nuk deshi të komentojë rastin në fjalë, ndërsa në fund, pas duartrokitjeve të gjata të personave të pranishëm tha se “është mëkat që të hidhet ushqimi në këtë mënyrë, kur mijëra persona vuajnë urie nëpër botë”.

Ngjyra e lëkurës së ministres ishte në qendër të një skandali pak ditë më parë. Këtë herë ishte as më pak dhe as më shumë vetë zv.presidenti i Dhomës së Senatorëve në parlamentin italian, Calderoli ai që deklaroi “se kur shihte ministrin, i kujtohej orangutangu”.

I kryqëzuar nga kritikat brenda dhe jashtë Italisë, Calderoli kërkoi ndjesë për komentet e tij të pamatura dhe u zotua se do t’i dërgonte nëj tufë me lule ministres, por refuzoi të japë dorëheqjen nga posti në Senat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB