Balla: Bushati po shkel rëndë ligjin

27/07/2013 00:00

Taulant Balla, deputet i  mazhorancës së re qeverisëse, i ka dërguar një mesazh të fortë kryetares së AMA-s, Endira Bushati, për të respektuar ligjin për median audiovizive në të kundërt do të paditet penalisht.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, deputeti Balla i kujton kryetares Bushati se, ligji 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, me përjashtim të një neni të vetëm u miratua me konsensus të gjerë politik.

“Endira Bushati po e thyen rënd këtë ligj në procesin e liçencimit të rrjeteve numerike. Kryetarja po vepron në kundërshtim të hapur me kuadrin e përcaktuar për këtë proces liçencimi dhe ka marrë deri më tani katër vendime ilegale”, konstaton Balla.

Sipas deputetit Balla, Endira Bushati me veprimet e saj ilegale po dëmton rëndë veprimtarinë e mediave audiovizive në Shqipëri. “Duhet të kujtojmë se Shqipëria, jo për shkak të qeverisjes, por saj sipërmarrjes private mediatike shqiptare ka bërë hapa të dukshëm në krahasim me shumë vende të tjera europiane. Ndërkohë që procesi i rregullimit ligjor nuk mund të mos njohë realitetin dhe aktorët ekzistues”, thotë Balla.

Sipas tij, ky proces nuk duhet të jëtë preferencial dhe i fshehtë, por i hapur, asnjëanës dhe tërësisht i bazuar në normën ligjore. “Duhet t’i kujtoj Endira Bushatit se, megjithëse legjislatura e re e Kuvendit të Shqipërisë i fillon punimet më 9 Shtator, ne po ndjekim me vëmendje veprimet e AMA-s dhe të kryetares së saj”, vijon Balla në komentin e tij.

Po marrim në konsideratë, thekson ai, shqetësimet e palëve të interesuara në procesin e liçencimit të rrjeteve numerike dhe do të përdorim çdo instrument institucional për respektimin e ligjit. Po marrim gjithashtu në konsideratë ankesat për vendimmarrjen ilegale të AMA-s.

Taulant Balla bën këtë paralajmërim për kryetaren e AMA-s kur thotë: “Për çdo shkelje të ligjit 97/2013, por edhe për abuzime të tjera financiare të Endira Bushatit, më parë në KKRT dhe tashmë në AMA, do t’i drejtohemi edhe Prokurorisë. Kodi Penal është i qartë për rastet e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljeve të ligjit”.

Deputeti Taulant Balla e mbyll komentin e tij duke i kujtuar kryetares së AMA-s se, bazuar në nenet 7 dhe 10 të ligjit 97/2013, legjislatura e re e Kuvendit ruan të drejtën e lirimit të zonjës Endira Bushati nga detyra e kryetares së AMA-s.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA