Dhjetra mijëra përkrahës dhe kundërshtarë të ish-presidentit të rrëzuar egjiptian, Mohamed Mursi, zhvilluan protestat e tyre në të gjithë Egjiptin, pas lutjes së të premtes. Në Aleksandri, të paktën pesë persona humbën jetën në përleshjet mes grupeve rivale.
Mbështetësit e Mursit mbushën rrugët përreth xhamisë në Kajro, për të dënuar rrëzimin e tij nga ushtria. Përkrahësit e ushtrisë u mblodhën në sheshin Tahrir.
Në Aleksandri, të paktën 5 persona humbën jetën dhe 19 të tjerë u plagosën, shumë prej të plagosurve kanë marrë plagë nga armë zjarri.
Në Kajro, 11 persona u plagosën pas përleshjeve mes grupeve kundërshtare në lagjen Shubra, që qëllonin njëri-tjetrin me gurë.
Mursi mbahet nën arrest, i akuzuar për organizimin e një komploti me militantët e grupit palestinez Hamas dhe për sulmet ne burgje, gjatë kryengritjes të vitit 2011, që rrëzoi nga pushteti Hosni Mubarakun.
Ai do të merret në pyetje për një periudhë prej 15 ditësh. Urdhri, i lëshuar të premten, është deklarata e parë zyrtare për statusin juridik të Mursit, prej kohës së rrëzimit të tij nga pushteti, më 3 qershor, pas grushtit të shtetit të ushtrisë.
Më herët gjatë javës, shefi i ushtrisë, Gjeneral Abdel Fatah Al Sisi, u kërkoi egjiptianëve të dalin në rrugë, për t’i dhënë ushtrisë mandatin për rrëzimin e Mursit dhe caktimin e qeverisë së përkohshme.
Top Channel