Në Kopakabana të Rio de Zhaneiros, Papa Françeskun e pritën me mijëra besimtarë. Ati i shenjtë mbërriti me helikopter dhe përshkoi më pas me makinë 4 kilometra gjatë të cilave pati ndalesa të shumta për t’u takuar me pelegrinët e mbledhur në plazhin e famshëm brazilian.
Rreth 1 milion vetë, shumica nga Amerika Latine, pritet të marrin pjesë në Ditën Botërore të Rinisë. Festivali fetar ka shumë gjasa të marrë trajtat e një eventi politik.
Mjaft të rinj, që deri para pak kohe protestonin në rrugë kundër korrupsionit dhe stadiumeve të shtrenjta, do të brohorasin Papën dhe do të presin bekimin e kreut të Kishës Katolike për dëshirat e tyre të reformave politike.
Më herët, ati i shenjtë vizitoi një lagje të varfër në veri të Rios, e cila ka një nam shumë të keq për shkak të kriminalitetit dhe të dhunës së ushtruar nga bandat kriminale.
Gjatë kësaj ndalese, Papa bëri thirrje për solidaritet me të varfërit në botë. “Të gjithë duhet të kontribuojnë për t’i dhënë fund padrejtësive në botë”, u shpreh ai, ndërsa denoncoi padrejtësitë dhe përjashtimin social.
Sado e çuditshme të tingëllojë, Kisha Katolike në Amerikën Latine di si të veprojë me kontradiktat. Në vend që të debatohet rreth shugurimit të grave apo beqarisë, vëmendja është përqendruar tek format e reja të shërbesave fetare.
Në Ditën Botërore të Rinisë në Rio de Zhaneiro shpresa është e madhe se me Papa Françeskun fuqia e besimit do të rritet dhe kisha do të ndryshojë, duke qenë se ai vetë është shfaqur vazhdimisht si mbështetës i palëkundur i forcës teologjike të rinovimit.
Top Channel