Tunizi, tjetër politikan i vrarë

25/07/2013 00:00

Një politikan i lartë i opozitës tuniziane u ekzekutua me një plumb në kokë teksa po dilte nga banesa e tij në kryeqytetin Tuniz.

Mohamed Brahmi, udhëheqës i partisë nacionaliste “Lëvizja Popullore” u qëllua nga një person me motor, në sy të bashkëshortes dhe vajzës së tij.

“Mohamed Brahmi u qëllua për vdekje jashtë banesës së tij në lagjen Ariana”, njoftoi televizioni shtetëror tunizian.

Mediat lokale thanë se autorët kanë qëlluar 11 herë ndaj politikanit. Policia vendase ka nisur hetimet për zbardhjen e saj, ndërkohë që nuk dihet autorësia e sulmit. Shumë e lidhin për shkak të aktivitetit të tij politik.

Brahmi është politikani i dytë i lartë që ekzekutohet në Tunizi brenda këtij viti. Në shkurt, në një sulm të ngjashëm u vra Chokri Belaid, udhëheqës i lartë i opozitës laike në vend.

Trazirat politike në vendin afrikano-veriore vazhdojnë që prej rrëzimit të presidentit Ben Ali. Edhe pse janë mbajtur zgjedhjet e para të lira, gjuha e ashpër e klasës politike ka rritur tensionet edhe mes qytetarëve dhe mbështetësve përkatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB