Brazil, Papa sulmon legalizimin e drogës

25/07/2013 03:00

Papa Françesku ka kritikuar planet për legalizimin e drogës në Amerikën Latine, gjatë inaugurimit të një klinike për të varurit nga droga në Rio de Janeiro.

Rrënjët e abuzimit me drogën duhen luftuar, tha ai në ditën e tretë të vizitës së tij në Brazil. Uruguaji është shumë pranë lejimit të shitjes ligjore të marijuanës, teksa vendet e tjera janë duke shqyrtuar liberalizime të ngjashme.

Më herët, Papa i lindur në Argjentinë, festoi meshën e parë të udhëtimit të tij, në faltoren (mauzoleun) e Zonjës së Aparecida-s. Ai paralajmëroi dhjetra mijëra besimtarë kundër “kalimit të idhujve” për para, pushtet dhe kënaqësi. Pas vizitës në Aparecida, në shtetin brazilian të Sao Paulo-s, Papa u kthye sërish në Rio de Janeiro.

Gjatë inaugurimit të klinikës së rehabilitimit të të droguarve, në spitalin e Sao Francisco, ai përqafoi disa ish-të varur nga droga dhe dëgjoi historitë e tyre.

“Është e domosdoshme të luftohen problemet, që janë në rrënjët e abuzimit me drogën, duke promovuar më shumë drejtësi, edukim ndaj të rinjve me vlerat e të jetuarit në shoqëri, duke i qëndruar pranë atyre që hasin vështirësi dhe duke u dhënë shpresa për të ardhmen”, tha ai.

Papa Françesku foli gjithashtu kundër planeve të legalizimit të drogave në Amerikën Latine, veçanërisht në Kolumbi, Bolivi, Ekuador, liderët e të cilëve kanë folur për qëndrime më të buta ndaj politikave kundër drogave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA