Nga zyra e kryeministrit të zgjedhur në selinë e Partisë Socialiste, Edi Ramës iu deshën reth 14 minuta për të bërë publike strukturën e qeverisë së re si hapin e parë të këtij procesi që do të vijojë më pas me emrat e ministrave, për të cilët ai tha se do të bëhen të ditur në fund të gushtit. Ndërsa nëpërmjet një postimi në Tëitter, Rama zbuloi se qeveria e ardhshme do ketë numrin më të madh të grave në historinë e vendit.

“Struktura e re është e ndërtuar mbi bazën e një analize të hollësishme të strukturës ekzistuese dhe të gjithë degëzimeve të strukturës ekzistuese, që në këndvështrimin tonë përbëjnë një trupë me shumë parazitë brenda dhe kërkojnë shkurtim drastik”, deklaroi Rama.

Numri i ministrive të qeverisë së re do të jetë 16. Në bazë të prioriteteve, kabineti do të ketë tre ministri shteti, ajo për Inovacionin dhe Administratën Publike, ajo për Çështjet Vendore dhe ajo për Marrëdhëniet me Parlamentin, si dhe një zëvëndëskryeministër pa portofol. Ndërkohë, 7 nga ministritë aktuale nuk do të pësojnë ndryshime.

“Do të kemi një ndarje të Ministrisë së Ekonomisë, e cila praktikisht është një strukturë shumë e rëndë, me një gamë shumë të gjerë çështjesh për të mbuluar dhe rezulton nga analiza jonë me dizefiçenca të mëdha. Prandaj, kjo superministri kështu siç është sot nuk do të ekzistojë më. Do të kemi nga njëra anë Ministri të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, e cila do të mbulojë sektorët e zhvillimit, do të mbulojë zhvillimin rajonal, do të mbulojë problematikën e klimës së biznesit, do të mbulojë gjithë detyrimet që burojnë nga marrëveshjet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në fushën e ekonomisë, mbrojtjen e konsumatorit dhe mbi të gjitha do të mbulojë marrëdhënien me sipërmarrjen që do të ndryshojë rrënjësisht, në qasje dhe në sjellje. Nga ana tjetër do të jetë Ministria e Energjitikës dhe Industrisë, që do të mbulojë me përparësi dhe me fokus të plotë projektet e zhvillimit në fushën e energjisë me impakt kombëtar dhe rajonal, si dhe gjithë pjesën që ka të bëjë me pasuritë natyrore, minierat, hidrokarburet dhe industrinë e lehtë”, sqaroi Rama.

Konkretisht, ministritë aktuale që do të pësojnë ndryshime thelbësore janë:

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës do ndahet në: Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrinë e Energjitikës dhe Industrisë;

Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të quhet Ministria e Arsimit dhe Sportit;

Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve do të ndahet në: Ministrinë për Transportet dhe Telekomunikacionet dhe në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit;

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta do të bëhet Ministria e Mirëqënies dhe Rinisë;

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit do të bëhet Ministria e Bujqësisë, Administrimit Rural dhe Administrimit të Ujërave;

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do bëhet Ministri e Kulturës;

Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave do të bëhet Ministri e Mjedisit.

Ministritë që nuk do të pësojnë ndryshime por reforma të thella janë:

Ministria e Brendshme
Ministria e Drejtësisë
Ministria e Mbrojtjes
Ministria e Financave
Ministria e Jashtme
Ministria e Integrimit
Ministria e Shëndetësisë

Top Channel