Komandanti i KFOR-it Volker Halbauer ka deklaruar se gjendja e sigurisë
në katër komunat në veri të Kosovës po shkon në drejtim pozitiv.

Në një intervistë për gazetën serbe “Novosti”, gjenerali ka thënë se bisedimet e zhvilluara në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë hap i rëndësishëm në këtë proces.

“Nevojitet një zgjidhje politike për problemet dhe gatishmëria e treguar nga të gjitha palët është vendimtare”, ka vlerësuar Halbuer.

Më herët gjatë muajit, në kuadër të marrëveshjes së Brukselit, në veri të Kosovës u mbyllën të gjitha zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani deklaroi se zyrat e MUP-it serb u mbyllën nga vetë ata të cilët i kishin hapur, që do të thotë nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

“Mbylljet e para kanë qenë në Leposaviç dhe më pas kanë vijuar me Zveçanin, Zubin Potokun dhe javën e kaluar me Mitrovicën”, deklaroi Kelani.

Ky proces u monitorua nga EULEX-i, në një rast edhe nga Policia e Kosovës. Një pjesë e zyrtarëve të MUP-it pritet të punësohen në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri.

Ministri i Punëve të Brendshme, bazuar në marrëveshjen politike kohë më parë emëroi serbin Nenad Gjuriç ushtrues detyre të komandatit të policisë për rajonin e veriut.

Ndërsa muajin e kaluar serbët e pjesës veriore të Mitrovicës larguan nga magjistralja Mitrovicë-Zveçan barrikadat e vendosura në këtë rrugë që prej përshkallëzimit të krizës në këtë pjesë të Kosovës, në korrik të vitit 2011.

Barrikadat ishin të vendosura në disa lokacione përgjatë magjistralës, nga dalja e Mitrovicës e deri në Zveçan, kurse punëtorët pastruan dhe punuan për riparimin e pjesëve të dëmtuara të rrugës.

Top Channel