“Të numërohet çdo votë. Është në interesin më të mirë të Kryeministrit
të ardhshëm, është në interesin më të mirë të çdo qytetari që të bëjnë
këtë transparencë për ndryshe. Partia Demokratike nuk do të njohë kurrë
pushtet të dalë nga vota e vjedhur”.

Ky ishte deklarimi paralajmërues i Sali Berishes mesditën e të hënës, të cilin Damian Gjiknuri, Sekretar për Çështjet Zgjedhore në PS, e shikon si një qëndrim të ndryshëm të Kryeministrit në ikje, pasi ai u deklaroi shqiptarëve që e njihte rezultatin.  

Deklaratën e Berishës, përfshi hapat e hedhur nga KQZ-ja, Gjiknuri i përkufizon si veprime të urdhëruara nga Berisha dhe kasta e tij për të penguar daljen e rezultatit në kohë dhe vonuar procesin ankimor dhe krijuar amulli në elektoratin që e ndëshkoi me votë.

Krahas vendimit të Kolegjit për pavlefshëmëri absolute të vendimit të KQZ-së për të rinumëruar të gjitha kutitë e Lezhës, Gjiknuri sjell edhe një argument tjetër.

“Fakti, të fshehësh paligjshmërinë në emër të transparencës kjo është e dënueshme dhe e papranueshme. Nëse ke nevojë për transparencë mund ta kërkosh me mekanizma të tjerë. Nuk mund të përziesh transparencën gjatë një procesi të shqyrtimit administrative. Ligji, sa për t’ia sqaruar publikut me kërkesë të PD-së, në vitin 2011 në kodin zgjedhor është ngushtuar hapësira e rinumërimit duke u bazuar vetëm në shkaqe të qarta që kanë të bëjnë me vota të kontestuara e që palët e dinë paraprakisht problemin. Nuk njihet koncept rinumërim total se ti ke kërshëri. Ajo që njeh ligji është nëse ka kontestime, t’i rinumërojmë sepse KZAZ nuk janë vlerësuar si duhet. Kjo ka qenë kërkesë e PD-së e reflektuar në Kod dhe mjafton të krahasoni tekstin e kodit të 2009 me atë të 2012-ës do të shihni ndryshimin ne ligj.

PS thotë Gjiknuri nuk është kundra transparancës dhe për këtë u ofron demokratëve këtë zgjidhje.

“Nëse Berisha kërkon transparencë unë po e them edhe në emër të PS-s se ka forma të ndryshme.Një prej tyre është ajo që na është mohuar në 4 vjet më parë dhe tani le të bëhet realitet. Që do të thotë PD-ja, nëqoftëse ka kërshëri për të parë sa e thellë është humbja e saj apo do të bëjë transparencë të gjithë procesit të kërkojë në Parlament një komision hetimor të përbashkët dhe le të bëjme transparencën e plotë të zgjedhjeve dhe mos të vonojmë zgjedhjen e rezultatit pasi biem në kundërshtim me çdo lloj norme juridike dhe normë të standarteve ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Gjiknuri.

Top Channel