
Ljubjana dhe Zagrebi zyrtar ftojnë presidentët e Kosovës dhe Serbisë që
të marrin pjesë në samitin e Procesit të Bërdos, në Slloveni.
Me nismë të presidentëve Borut Pahor dhe Ivo Josipoviç, presidentja e Republikës Atifete Jahjaga dhe ai i Serbisë, Tomisllav Nikolliç, pritet të marrin pjesë të enjten në këtë konferencë, e cila mbledh tetë presidentë të rajonit të Ballkanit Perëndimor, bën të ditur radio Evropa e Lirë.
“Me ftesë të presidentëve të Sllovenisë Borut Pahor dhe të Kroacisë Ivo Josipoviç, presidentja Jahjaga do të marrë pjesë në takimin e presidentëve të vendeve të rajonit të Ballkanit, i cili do të mbahet në Bërdo të Sllovenisë”, ka thënë Arbër Vllahiu, shefi i stafit të presidentes së Kosovës.
Në takimin e 25 korrikut praninë e tij e ka konfirmuar edhe presidenti i Francës, François Hollande, i cili do t’iu drejtohet të pranishmëve me një fjalim.
Presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë shihen si promotorë të zgjerimit të mëtejmë të Bashkimit Europian dhe të raporteve të mira ndërfqinjësore në rajon.
Top Channel