
Për të folur për zgjedhjen e kreut të ri të Partisë Demokratike në studion e edicionit qendror të lajmeve në Top Channel ishte anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, zoti Besnik Mustafaj.
Ilir Paço: Zoti Mustafaj, PD bëri për herë të parë zgjedhje dhe ka zyrtarisht një kryetar të ri që është Lulzim Basha. Ndërkohë sot kemi parë të dalin me radhë zoti Berisha që e quajti Bashën një histori suksesi në PD, zotin Basha që tha se do të luftojë duke u bazuar në vlerat e zotit Berisha dhe zotin Olldashi që deklaroi se procesi u cënua dhe nuk kishte një garë. Si i shikoni këto zgjedhje në PD? A kishte realisht garë?
Besnik Mustafaj: Unë kam thënë që gara është e vështirë sepse u bë një përzgjedhje e kandidatëve, mangësi në lista dhe fletë me numër serial. Të gjitha këto pakësonin mundësitë për të qenë një garë e vërtëtë. Kjo ishte një ndeshje stërvitore, tani sfidat janë përpara që kjo ndeshje stërvitore të kthehet në një të ardhme të afërt në një ndeshje të vërtetë brenda PD që t’i shërbejë krijimit garës së vlerave dhe që është rruga e vetme për të formuar një lidership.
Ilir Paço: Zoti Berisha në deklaratat e tij vlerësoi Bashën një histori suksesi, por i vendosi edhe piketat se ku duhet të lëvizë ai. A mendoni se Basha do të ketë pavarësi në drejtim apo do të vazhdojë të mbetet zoti Berisha një faktor dominant në drejtimin e PD? Pra largimi i tij nga drejtimi është një formalitet.
Besnik Mustafaj: Përtej të gjitha problematikave, duhet thënë se Basha ka legjitimitet të plotë sepse ai ka marrë shumicën e anëtarësisë së PD. Unë e mbështes si një veteran i PD, por Basha ka urgjentisht disa sfida, dhe e para është caktimi i kufirit për Berishën, nëse s’e bën, do jetë i paaftë të vendosë autoritetin e liderit të kësaj partie. Sfida e parë urgjente e Bashës është caktimi i kufijve për Berishëm që të tregojë se është kryetari. Berisha sot bëri një gabim që i caktoi programin kryetarit të partisë. Sfida e dytë është të zgjojë PD që është në gjendje të traumatizuar sa nuk ka as listën e anëtarësisë.
Ilir Paço: A mendoni se ka shumë të pakënaqur tashmë edhe në nivelet e larta të PD, themi grup parlamentar, Këshill Kombëtar dhe kryesinë aktuale? Dhe mendoni se këto zgjedhje krijuan ndarje brenda për brenda PD, nisur edhe nga deklaratat e zotit Olldashi?
Besnik Mustafaj: Gjërat duhen marrë me realizëm. Duhet thënë se nuk ishte e pamundur të bëhej një proces perfekt. Lidershipi aktual ka mundësit të marrë gjërat mjaftueshëm me qetësi. PD ka vend për të gjithë dhe që do të jetë talenti, aftësia dhe vizioni i Bashës për të treguar se është bashkues në PD dhe jo përçarës. Lidhur me deklaratën e Olldashit, i bëj një vërejtje serioze me sjelljen politike të tij. Ai nuk duhej të bënte këtë dalje në Ministri, por në selinë e PD, sepse është alternativa për lidershipin e PD. Pjesa tjetër më duket një sjellje prej politikani, sjellje normale. Më vjen mirë si njeri i interesuar për shëndoshjen e PD që të vërtetat tashmë thuhen. Kjo është një kulturë për t’u krijuar në PD, sepse në 23 vite njerëzit nuk kanë kritikuar. Kam besim se zoti Olldashi do ta trajtojë me seriozitetin që i takon si një njeri që ka ambicie për të qenë lider.
Top Channel