Kukësi, Kolegji pranon kërkesën e LSI

23/07/2013 00:00

Kolegji Zgjedhor shqyrtoi kërkesën ankimore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila pretendon se i është mohuar një mandat në qarkun e Kukësit.

Sipas përfaqësuesve të LSI, Ilirjan Muho dhe Spartak Braho, në 15 Qendra Votimi në rrethin e Tropojës ka mospërputhshmëri të rezultatit final, të tabelës përmbledhëse të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe pamjeve filmike, që janë depozituar nga LSI si provë për hetimin administrativ.

Po sipas përfaqësuesve të LSI-së, bëhet fjalë për një total prej 155 votash, të cilat – sipas tyre – janë manipuluar, duke shkuar në favor të koalicionit të djathtë.

Por, duke qëndruar në të njëjtën linjë, përfaqësuesit e KQZ dhe Partisë Demokratike hodhën poshtë këto pretendime, duke i quajtur pamjet filmike si të pavlefshme, pasi – sipas tyre – në to nuk duket qartë se cilës qendër i përkasin fletët e votimit.

Pasi ka verifikuar provat, Kolegji Zgjedhor vendosi të pranojë materialet filmike të depozituara nga LSI si provë për hetimin, ndërsa caktoi një grup të përbërë nga përfaqësues të të dyja palëve, të cilët do të kryejnë aktin e ekspertimit të pamjeve.

Ekspertëve, Ardian Pollo për LSI-në dhe Zamir Hoxha për PD-në, iu la dy ditë kohë për të dorëzuar aktin e ekspertimit, që do të vërtetojë nëse pretendimet e LSI janë ose jo të drejta.

Në diskutim është mandati i fundit, i cili është ndarë me vetëm 15 vota dhe i ka shkuar Partisë Demokratike, duke çuar në tre numrin e mandateve për koalicionin e djathtë, kundrejt një mandati të koalicionit të majtë, në këtë qark.

Kolegji dëgjoi pretendimet e LSI-së rreth orës 14:00 të ditës së martë, u tërhoq rreth orës 15:00 për të dalë më vonë me një vendim të ndërmjetëm për të pranuar si provë këto materiale filmike dhe është vendosur që akti i ekspertimit të bëhet nga dy ekspertë të caktuar nga vetë dy forcat politike të interesuara.

LSI caktoi Ardian Pollon ndërsa Partia Demokratike Zamir Hoxha. Pas betimit, dy ekspertët morën udhëzimit e Kolegjit mbi detyrën e tyre dhe deri më 25 korrik në orën 09:00 duhet të kenë dorëzuar pranë Kolegjit aktin e ekspertimit të pamjeve filmike.

Një ditë më parë, po ky institucion pranoi kërkesën e PS-së duke e cilësuar të paligjshëm rinumërimin e votave nga ana e KQZ-së për Qarkun e Lezhës. Vendimi mbërriti në ditën kur në KQZ po numëroheshin votat e Qarkut të Shkodrës.

Pavarësisht këtij vendimi, KQZ nuk ndërpreu rinumërimin në Shkodër duke argumentuar se vendimi i Kolegjit ishte vetëm për Qarkun e Lezhës.

Top Channel