
Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se
marrëveshja e arritur me Serbinë në Bruksel është negative dhe do të
jetë e vështirë që ajo të zbatohet në terren.
“Është një marrëveshje e keqe, por ndoshta ndonjëherë është më mirë të kemi një marrëveshje të keqe sesa të mos kemi fare”, ka thënë Krasniqi për një program të televizionit “RTK”.
Duke komentuar veprimet e drejtuesve të lëvizjes Vetëvendosje në seancën që ratifikoi marrëveshjen me Serbinë, Krasniqi është shprehur se nuk i sheh këto veprime si diçka që e kanë cënuar atë personalisht.
“Jo vetëm në Parlamentin tonë, por edhe në parlamente me tradita ndodhin gjëra të pahijshme, gjëra të pakëndshme. Në fund të fundit janë emocionet e njerëzve ato që nganjëherë i kalojnë kufijtë e një funksionimi normal”, ka theksuar ai.
Më tej, kryetari i Parlamentit ka folur për marrëdhëniet me kryeministrin Hashim Thaçi, duke nënvizuar se ato janë vetëm të tipit zyrtar. “Raportet me kryeministrin janë raporte zyrtare dhe marrëdhëniet natyrisht që janë po ashtu zyrtare”, ka thënë ai.
Gjatë intervistës, Krasniqi ka folur edhe për historinë e Ballkanit jug-lindor, duke vlerësuar se tekstet kanë nevojë për një trajtim ndryshe, por pa pasur ndërhyrje politike.
“Historia nuk mund të ndryshohet, ndërsa tekstet e historisë ndoshta mund të redaktohen. Por kjo nuk mund të bëhet me ndërhyrje politike”, ka thënë ai.
Top Channel