Gjatë një operacioni të koduar “Ereniku”, policia e Kosovës arrestoi tetë persona të dyshuar për ‘kontrabandë me emigrantë’ dhe ‘krim të organizuar’.

Operacioni është zhvilluar në  gjashtë qytete të Kosovës: Prishtinë, Ferizaj, Shtimë, Prizren, Rahovec dhe Pejë.  Gjatë tij janë kontrolluar nëntë shtëpi dhe katër agjensi turistike.

Të dyshuarit me qëllim të përfitimit të shumave të mëdha financiare, organizonin grupe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për t i dërguar në shtete perëndimore, njoftohet në një komunikatë të policisë.

Për këtë qëllim, të dyshuarit shfrytëzonin vijat e rregullta të udhëtimit kryesisht nga qytetet e Kosovës në drejtim të Serbisë, për të kaluar fillimisht në Hungari e më pastaj në shtetet tjera europiane.

Gjatë hetimeve të këtij rasti janë identifikuar 30 viktima të kontrabandës me emigrantë dhe janë sekuestruar si prova materiale: pasaporta, letërnjoftime, formularë të ndryshëm, transaksione bankare, lista të udhëtarëve etj, tri pistoleta, armë gjahu dhe telefona celularë.

Top Channel