Debati parlamentar lidhur me krijimin e një gjykate speciale, e cila do të merrej me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, në vend të misionit të Eulex-it, pritet të zhvillohet këtë të enjte.
Megjithatë, grupet parlamentare opozitare kanë kritikuar nismëtarin e debatit, se ka futur në rezolutë përmbajtje, që dallon nga rekomandimet e parashtruara, në momentin që iu është ofruar deputetëve për nënshkrim.
“Deputetët, që e kanë nënshkruar, e kanë parë përmbajtjen dhe kanë parë 3 rekomandimet, që kanë qenë përpara nënshkrimit. Çfarë ka ndodhur më pas? Pa miratimin e tyre dhe të asnjë deputeti tjetër, sepse miratimi nuk mund të merret me gojë, por duhet sërish me shkrim ose nënshkrim, është futur një tekst i rezolutës pa i pyetur nënshkruesit”, deklaroi Ismet Beqiri, kryetar i gupit parlamentar të LDK-së.
“Ne u kemi thënë se nuk e nënshkruajmë këtë kërkesë për dy arsye: në njërën anë, sepse kërkesat dhe rekomandimet, që i keni propozuar këtu nuk përkrahen nga ne, pra nuk janë në një vijë me konceptin tonë politik dhe qëndrimin tonë karshi EULEX-it, ndërsa në anën tjetër, ne thjesht nuk u besojmë, sepse kanë nisur një mori debatesh të tilla dhe i kanë lënë përgjysmë”, u shpreh Visar Ymeri, VV.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, thotë se nuk i përket legjislativit, që të merret me këtë çështje. Madje, ai nuk ka dashur as të komentojë, nëse Kosova ka kapacitete për të gjykuar krimet e luftës.
“Këto pyetje do të doja t’i shkonin sistemit të drejtësisë së Kosovës. Ata janë të obliguar të japin përgjigje ndaj kësaj pyetjeje, për faktin se ata i dinë kapacitetet e tyre, kanë apo s’kanë kapacitetet e nevojshme. Mendoj se kjo nuk është çështje e Kuvendit, pasi sistemi i drejtësisë është një sistem i pavarur dhe një shtyllë e veçantë e shtetit”, tha Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit.
Një debat i tillë ishte parashikuar të zhvillohej të premten e kaluar, por për shkak të mungesës së kuorumit, ai u shty për këtë javë.
Për më tepër, grupi i VV, i përkrahur edhe nga LDK, AKR edhe AAK, kanë kërkuar edhe një debat lidhur me eksodin kosovar jashtë vendit, ku tashmë numri i tyre ka kaluar mbi 6 mijë.
Deputetet kanë kërkuar, që kjo çështje të debatohet në Kuvend dhe të kërkohet nga qeveria të ndërhyjë në kthimin e refugjatëve kosovarë, nga kampet dhe qendrat e azilkërkuesve në Hungari dhe Francë, pasi atje po u nënshtrohen kushteve të këqija dhe trajtimeve në kundërshtim me të drejtat e njeriut.
Top Channel