Zgjedhjen e Lulzim Bashës, në krye të Partisë Demokratike, e komentuan edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai i delegacionit të BE-së dhe ai i Italisë në Shqipëri. Ata i uruan suksese zotit Basha, ndërsa Ambasadori Arvizu kujtoi që, disa njerëz kanë ngritur pikëpyetje se sa efektiv dhe transparent ishte procesi i votimit.
“Ne i urojmë gjithë të mirat. Mendoj se, që një demokraci të jetë funksionale, duhet të ketë një opozitë të fortë, sikurse në këtë rast, kur PD-ja do të jetë në opozitë. Disa njerëz kanë ngritur pikëpyetje se sa efektiv dhe transparent ishte procesi i votimit. Janë pikërisht këta njerëz, të cilët e kuptojnë më mirë procesin, se sa unë. Për sa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kjo përbën një çështje të brëndshme të PD-së dhe jane ata, që duhen të merren me këto çështje të brëndshme, në mënyrën që e gjykojnë të drejtë. Ne i urojmë zotit Basha fat. Me kënaqësi pres të punoj me të, sikurse edhe me zotin Olldashi”, tha Aleksandër Arvizu, Ambasador i SHBA-ve, Tiranë.
“I uroj kryetarit të ri suksese. Mendoj se e pret shumë punë përpara. Ai është një njeri me të gjitha mundësitë. Personalisht nuk parapëlqej t’i jap sugjerime të tjerëve. Zoti Basha i di gjërat më mirë se unë, se çfarë duhet të bëjë”, tha Ettore Sequi, kreu i misionit të BE-së, Tiranë.
“Duket se ishte një proces i drejtpërdrejtë me një rezultat të qartë. Mendoj se është një fillim i mirë, me një fytyrë të re në PD, pa harruar se çfarë vështirësish janë duke lënë prapa demokratët. Një prej sfidave të para të zotit Basha është mbajtja e partisë të bashkuar dhe natyrisht për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme”, tha Masimo Gaiani, Ambasador i Italisë, Tiranë.
Top Channel