
Procesi i votimit për kryetarin e ri të PD u shoqërua me probleme që lidheshin kryesisht me listat e anëtarëve. Pas një vëzhgimi të kryer nga Top Channel në qendrat e votimit të grup-seksioneve 8, 9 dhe 11 në Tiranë, problemi kryesor që u konstatua ishte mosgjetja e emrit në listën e votuesve.
Sipas anëtarëve të qendrave të votimit, ky problem u verifikua pasi shumë anëtarë nuk kishin rinovuar kartat e tyre të antarësisë, çka solli dhe mospërfshirjen e tyre në listën e zgjedhësve.
Një tjetër arsye sipas tyre ishte dhe transferimi i anëtarëve nga qytete të tjera drejt Tiranës, duke mos bërë shpërnguljen në degën përkatëse të Partisë Demokratike.
Edhe në zgjedhjet për kryetar partie nuk u hoq dorë nga sëmundja e vjetër shqiptare, ajo e votimit kolektiv, ku një person votoi për disa persona të tjerë.
Por shqetësimi tjetër që nisi të vërehej me kalimin e kohës dhe që rrezikon të hedhë dyshime të forta mbi procesin ishte ai që lidhej me fletën e votimit.
Sipas sinjalizimeve të vetë anëtarëve, çdo fletëvotimi kishte numrin serial, apo siç quhet ndryshe numër rendor, çka shtoi dyshimet se vota e çdo anëtari mund të identifikohet lehtë, pasi në momentin kur anëtari tërhiqte fletëvotimin, vëzhguesit shënonin krahas emrit të votuesit edhe numrin rendor.
Kjo do ta bënte të dallueshme më pas gjatë numërimit se për kë kandidat votoi secili anëtar. Ky shqetësim ka qenë i përhapur në të gjithë vendin dhe jo vetëm në Tiranë dhe mund të konsiderohet si një formë presioni ndaj anëtarësisë.
Top Channel