Lezha, Kolegji pranon kërkesën e PS

22/07/2013 18:50

Kolegji Zgjedhor ka pranuar pasditen e së hënës kërkesën e Partisë Socialiste për shpalljen të pavlefshëm rinumërimin e votave për qarkun e Lezhës.

Vendimi në fjalë është përshëndetur nga nënsekretari për çështjet zgjedhore të PS, Koli Bele, i cili ka deklaruar se Kolegji lexoi ligjin siç duhet.

“Vendimi i KQZ ishte një veprim i dukshëm antiligjor. PS kërkoi anulimin e këtij vendimi dhe Kolegji e miratoi kërkesën tonë”, ka deklaruar Bele në përfundim të seancës në selinë e Gjykatës së Apelit.

Bele ka nënvizuar se çertifikimi i rezultatit ka afate kohore që duhen respektuar, në mënyrë që vota e shqiptarëve për qeverinë e re të legjitimohet.

Ai ka bërë gjithashtu me dije se Partia Socialiste ka bërë edhe një padi në Kolegj me objekt proçedurën e rinumërimit të qarkut Shkodër.

“Edhe në këtë rast, pavarësisht nga rinumërimi, kërkesa hetimore e PR dhe afati për shqyrtimin e saj ka dy ditë që ka mbaruar. KQZ si duket ka harruar të lexojë kërkesën. Gjithësesi, ky vendim i Kolegjit do të kthejë legjitimitetin”, ka shtuar Bele.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i PD, Oerd Bylykbashi ka vlerësuar se, Kolegji ka dhënë një vendim që u mohon të drejtën e ankesave të gjitha partive.

“Duhet gjetur një zgjidhje për këtë handikap të madh të Kolegjit Zgjedhor. Ne kemi përpara syve një vjedhje të hapur të PS me rreth 1200 vota”, ka deklaruar Bylykbashi, duke shtuar se PD ka ndërmend të vazhdojë fazën ankimore.

“Ajo do të vijë në formën e një ankese në Kolegj me të njëjtat të dhëna dhe ky institucion do të shqyrtojë se çfarë është bërë sot. Ne të gjithë e dimë, ujku ishte aty”, ka shtuar Bylykbashi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA