Pavarësisht vendimit të Kolegjit Zgjedhor për Lezhën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijoi, deri në orët e vona të natës, rinumërimin e votave për qarkun e Shkodrës.
Edhe pse përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Genc Gjoncaj, kërkoi të ndalet ky proces, në bazë të vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të shpallur të pavlefshëm rinumërimin në Lezhë, kryetarja Lefterie Lleshi argumentoi se vendimi i përket Lezhës e jo Shkodrës. Deri në mbrëmje, përfundoi rinumërimi i votave të KZAZ-së nr 1 dhe 2 në Shkodër.
KZAZ-ja nr 2 ishte ajo, ku Partia Republikane mbështeste ankimimin e saj për këtë qark. Sipas saj, në këtë KZAZ kishin ikur dritat, në momentin e numërimit të votave, dhe kishte mosrakordime shifrash, të cilat shkonin në dëm të Partisë Republikane dhe në favor të Partisë Demokratike.
Por, rinumërimi i votave e rrëzoi këtë pretendim të republikanëve. Ndërkaq, në KZAZ-në nr 1 pati mosrakordim të vogël votash, por brenda partive të koalicioneve.
Top Channel