Prokuroria serbe për krimet e luftës ka ndihmuar EULEX-in në rastin “Kleçka”, duke identifikuar viktima dhe duke marrë në pyetje dëshmitarë të krimeve të luftës të kryera në vitin 1999 në fshatin me të njëjtin emër.

Lajmin e bën të ditur e përditshmja serbe “Danas”, e cila shkruan se një ekip i EULEX-it nisi gërmimet për zhvarrosjen e viktimave në fshatin Kleçkë në shtator të vitit 2009.

Sipas gazetës, prokuroria serbe për krimet e luftës në vitin 2009 kishte nisur hetimet ndaj Fatmir Limajt për raste të tjera të krimeve ndaj popullsisë serbe në komunat Lipjan, Shtime dhe Gllogovc, të kryera sipas saj në periudhën qershor-tetor 1998.

Ndaj këtij lajmi ka reaguar Tahir Rrecaj, avokat i Fatmir Limajt, i cili ka deklaruar se nuk është i befasuar nga shkrimet se prokuroria serbe ka ndihmuar EULEX-in duke inskenuar hetime të pabaza në rastin “Kleçka”.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”, Rrecaj ka theksuar se ky proces gjyqësor është i bazuar në spekulime të hetuesve serbë, të cilat pastaj i janë parashtruar EULEX-it.

“Serbia ka pasur ndikim në rastin “Kleçka”. Kam deklaruar edhe më herët se presionet që kanë ardhur në këtë rast kanë qenë nga Beogradi në drejtim të Brukselit dhe pastaj në drejtim të EULEX-it”, ka deklaruar Rrecaj.

“Ky proces është i bazuar në spekulime të hetuesve serbë për krime të luftës. Patjetër që Serbia ka ndërhyrë, ka ndikuar dhe ka fabrikuar prova e dëshmi të cilat fillimisht ia ka parashtruar UNMIK-ut dhe pastaj EULEX-it”, ka vijuar ai.

Avokati i Limaj ka shtuar se ky proces do të përfundojë në shtator dhe Limaj e të tjerët do të jenë të lirë. “Procesi gjyqësor në rastin “Kleçka”, siç dihet do të përfundojë në shtator, kur Limaj dhe të tjerët do të shpallën të pafajshëm”, ka thënë Rrecaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA