Problematikën e shfaqur gjatë votimit për kryetarin e ri të PD-së, në mënyrë të veçantë atë të listave, e shprehu në faqen e saj në Facebook, deputetja Mesila Doda.
“Procesi evidentoi një çështje vitale për PD-në. Themelues, anëtarë, sekretarë e kryetarë seksionesh, komisionerë, njerëz me një kontribut të gjatë nuk gjenin emrat në listat”, shkruan Doda.
Kjo, sipas saj, do të thotë që procesi i djeshëm nuk është fundi, por fillimi i një procesi të gjatë e serioz ku, së pari, duhet të evidentohen të gjithë anëtarët e vërtetë të PD e të mblidhen copat e shpërndara të të gjithë shtresave vitale të PD.
“Ne kemi nevojë për anëtarësi reale, jo thjesht emra, që nuk kanë asnjë lidhje reale me anëtarësinë, sepse do jenë ata, që do përkthejnë aksionin tonë opozitar në çdo cep të Shqipërisë”, shkruan Doda.
Sipas saj, demokratët “kemi nevojë të shohim njëri-tjetrin me vërtetësi dhe jo thjesht të kufizohemi me intervista mediatike, por të rikthejmë një forcë të animuar, një opozitë me një filozofi të pastër e të qartë, e mbi të gjithë t’i mbledhim të gjitha pjesët bashkë, për të bërë betejën në Parlament dhe të shtrijmë një organizim perfekt në çdo cep të vendit”.
Top Channel