Deputeti Erjon Braçe, bazuar në rinumërimin e kutive të qarkut Lezhë në KQZ dhe pretendimeve të kryeministrit në detyrë Sali Berisha, i cili është shprehur për manipulime në këtë qarkë, analizon me detaje rezultatin.
Braçe thotë se, kutitë e votimit për 25 ditë me radhë u administruan jo nga palët e legjitimuara në proces, si qendrat e votimit dhe ZAZ-të, por nga qeveria, nga një njeri i pushtetshëm si Sali Berisha dhe njerëz të rrethit të tij të ngushtë familjar.
Përballë këtij fakti deputeti Braçe ngre dyshime të forta për ndërhyrje në kutitë e votimit gjatë kohës kur ato janë magazinuar në Lundër. Erjon Braçe i bën një analizë të thellë pretendimit të kryetarit të dorëhequr të PD-së, se atij i janë vjedhur 742 vota dhe ky për të është manipulim i madh.
Në qarkun Lezhë, pas rinumërimit të bërë nga KQZ janë gjetur: 81.761 vota gjithsej, prej tyre 80.342 vota të vlefshme. 781 votat, diferencë e dalë nga rinumërimi, të treguara nga Sali Berisha përbëjnë vetëm 0.97% të votave të vlefshme, thotë Braçe.
Nga 4 ZAZ në këtë qark, në 3 prej tyre nuk është gjetur parregullësi pas rinumërimit, por në vetëm një prej tyre janë shënuar parregullësi pas rinumërimit, ZAZ 13. Nga 258 kuti votimi, në vetëm 10 prej tyre janë shënuar parregullësi pas rinumërimit.
Në 5 prej tyre janë gjetur korrigjime të numrave që materializojnë votat në procesverbale, ndërsa në 5 të tjerat nuk ka patur e për pasojë nuk është gjetur asnjë shënim në pocesverbalet e numërimit, përfshirë korrigjime në numra apo shënime të numëruesve të çdo pale, ose anëtarëve të KZAZ-së të secilës palë.
Nga 781 vota, 439 dyshohen si “të manipuluara”, ose 0.54% e votave të vlefshme, ndërsa 342 vota janë vërtetuar si “gabim material” (gabim njerezor) nga 439 vota të dyshuara si “të manipuluara”.
Dyshohet se vetëm 136 vota i janë “hequr” PD-së në nivel qarku ose 0.1% të votave të vlefshme. Gjithashtu dyshohet se vetëm 127 vota i janë “hequr” PD-së në nivel ZAZ-je dhe 13 ose 0.1% të votave të vlefshme.
Që këto të dhëna të marrin vlerë juridike, sipas Erjon Braçes, çdo gjë duhet provuar nga një organ kushtetues me kompetenca të plota hetimi penal për të provuar gjithë sa pretendohet.
“Manipulimi” dyshohet se mund të jetë i dyanshëm: prej vullnetit kriminal të çdo numëruesi e komisioneri, ose nga vullneti kriminal i administruesve të një familjeje të kutive të votimit në magazinat familjare të Lundrës.
Ky dyshim bëhet edhe më i madh, thotë Braçe, në një kohë kur numëruesit e komisionerët nuk kanë bërë asnjë shënim që të provojë të kundërtën nëpër procesverbalet e administruara.
Top Channel