Tjetër dëmtim Parkut të Tiranës

21/07/2013 15:20

Parku i Tiranës po humbet një tjetër pjesë të tij, si pasojë e ndërtimeve që kanë filluar në pjesën e pasme të Universitetit Politeknik të Tiranës.

Punimet po kryhen në emër të një projekti për zgjerimin e Universitetit, i cili duket se është edhe në shkelje të planit të miratuar nga vetë kryeministri Berisha, ku vija e parkut ishte planifikuar të kalonte aty ku mbaron godina ekzistuese, mirëpo realiteti duket se është i ndryshëm.

“Sot jemi mbledhur për një tjetër denoncim, që e kemi pasur bërë edhe publikisht, se parku i Liqenit do të vazhdojë të hahet edhe prapa Universitetit, edhe kjo doli e vërtetë. Nuk mund të fshihet askush pas faktit se ka leje ndërtimi, sepse nuk ka leje ndërtimi ligjshme, as që janë ndjekur procedurat, pasi nuk janë ndjekur asnjë procedurë dhe këtë do ta dëshmojmë në vijim, e më pas në shtator kjo dosje, së bashku me të gjitha dosjet e këtij lloji, që ne ia kemi premtuar qytetarëve, do vazhdojmë t’i hetojmë dhe do t’i çojmë përpara drejtësisë. I bëj thirrje të gjithë funksionarëve të tjerë të Bashkisë dhe të Ministrisë së Punëve Publike e të Transporteve, të mos bëhen pjesë e mashtrimit me dokumente false si në këtë rast, sepse një ditë është e padiskutueshme që do të japin llogari, e atë ditë nuk ka Lul Bashë që t’i mbrojë”, u shpreh Artan Lame, anëtar i Grupit për Programin e PS-së.

“Kjo shtesë bëhet mbi një objekt, që është monument kulture. Pra, është një projekt që bie krejtësisht ndesh monumentit të kulturës, akoma nuk janë rehabilituar dy krahët, që janë bërë në kohën e Enver Hoxhës, ndërkohë që kërkohet të bëhet një objekt, i cili është fantazmagoik, që kalon edhe vet lartësinë e objektit ekzistues. Edhe në pikëpamjen e mbrojtjes së aksit të bulevardit, por edhe në pikëpamjen e vet objektit, që është një vepër e Gherardo Bosio-s, një nga veprat më të shkëlqyera, ne po prekim një nga ansamblet unike, që ka ngelur e pacënuar në Shqipëri”, tha Artan Shkreli, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë.

“Po shohim këtu masakrën tjetër të radhës në hapësirat e gjelbra të Tiranës, pas fillimit të rrafshimit të Kopshtit Botanik, pastaj të Rrugës së Elbasanit, të Namazgjasë, dhe ja ku jemi në parkun më të mrekullueshëm të Tiranës. Kjo mendoj se është e papranueshme, duhet të ndërhyhet menjëherë për të projektuar një rehabilitim të kësaj hapësire. Të rregullohet e të kthehet në identitet dhe nga ana tjetër mendoj se kryetari Basha nuk e ka nën kontroll territorin e Tiranës dhe duhet të japë dorëheqjen”, theksoi Lavdosh Ferunaj, ambientalist.

Gjatë gërmimeve të kryera është prerë edhe një varg pemësh të mbjella nga qeveria italiane në vitet ’40 të shekullit të kaluar, duke dëmtuar kështu pasurinë mjedisore të kryeqytetit.

Firma e punësuar ka fituar një tender për kryerjen e këtyre punimeve, por faji kryesor për këtë shkelje nga mbrojtësit e mjedisit dhe trashëgimisë duket se i lihet në derë Bashkisë së Tiranës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA