Teksa kryeministri kosovar inspektonte mbarëvajtjen e korrje-shirjeve, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi se Kosovës i duhet Republika e tretë, në mënyrë që ajo të fitojë kundrejt të këqijave të këtij pushteti dhe politikanëve aktual.
Kurti ka kritikuar spektrin politik kosovar, përfshirë edhe partitë opozitare, duke thënë se marrëveshja mes Thaçit dhe Dacic, jo vetëm që e lidh Serbinë e Kosovën, por ajo po i lidh subjektet politike në Kosovë. Këto komenti i bëri gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.
“Paradoksalisht, kur janë bërë 5 vjet të Pavarësisë, pasardhësi i Millosheviçit, jo vetëm që po arrin ta ndërvarë Kosovën nga Serbia, por ai po e realizon edhe varësinë midis vet subjekteve politike shqiptare. Marrëveshja e zhurmshme me Serbinë, gjithmonë po kthehet në marrëveshje të heshtur mes PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Sa më shumë këto subjekte e të tjera bëhen bashkë, aq më shumë shtohen sulmet mbi VV-në, sepse pa VV-në nuk do të shihej qartë se sa të njëjta janë këto subjekte. Këto subjekte nuk po e përjashtojnë Serbinë, nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, por duan ta përjashtojnë VV-në. Për partinë në pushtet dhe regjimin e tij, tani po shihet problem VV-ja e jo Serbia, me Serbinë po merren vesh sa herë dëshiron e ne po i pengojmë, sa mirë që është kështu”, theksoi Kurti, lider i VV-së.
Sipas Kurtit, 17 shkurti 2008 doli se nuk i ndërpreu aspak dy procese më të dëmshme pas luftës, negociatat e padrejta me Serbinë dhe privatizimi i egër dhe abuziv.
“Kosova dhe populli i saj kanë nevojë për Republikën e tretë të Kosovës. Vetëm një Republikë e tretë na shpëton Republikën. Kjo Republikë e tretë duhet të jetë e tillë që të kujdeset për paqen, stabilitetin dhe sigurinë, por ato i sheh si pasoja të natyrshme të demokracisë, zhvillimit dhe drejtësisë. Duke i pasur për qëllim veçse paqen, stabilitetin dhe sigurinë, as nuk po i arrijmë ato plotësisht, me të vërtetë, por do t’i humbin edhe ato pak grimca që na kanë mbetur. Republika e tretë synon demokraci për shoqërinë dhe institucionet, zhvillim për shtetin dhe ekonominë, drejtësi për qytetarët dhe njerëzit. Paqja, stabiliteti dhe siguria lindin pastaj mes nesh. Sepse, fundja, paqja pa demokraci, stabiliteti pa zhvillim, dhe siguria pa drejtësi, janë shtypje e shfrytëzim, janë robëri e varfëri”, shtoi më tej Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes theksoi se në Kosovë, qytetarët po vdesin nga rriqrat dhe po mbushen kampet e shteteve të tjera me kosovarë, të cilët po ikin nga kushtet e vështira ekonomike dhe sociale. Prandaj ai ritheksoi se ky pushtet duhet të ndërrohet sa më parë.
Top Channel