Përfaqësues diplomatikë të Shqipërisë, Greqisë, Italisë dhe Azerbajxhanit thanë në Uashington se projekti TAP i hap një të ardhme të rëndësishme sigurisë energjitike dhe zhvillimit.
Për vendin tonë parashikohet të jetë një ndër investimet më të mëdha të huaja deri tani, në vlerën e rreth 1 miliardë eurove. Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Gilbert Galanxhi, tha se Shqipëria është në varësi të natyrës për nevojat e saj energjitike dhe për këtë arsye gjeti miratimin e të gjithë forcave politike në vend.
“Nëse bie shi ose borë, ne kemi energji, përndryshe nuk kemi. Prandaj ky projekt është shumë i rëndësishëm për diversifikimin e burimeve të energjisë, sepse tani ne kemi një mjet të sigurt për zhvillimin e ekonomisë në Shqipëri. Pra, marrëveshja e nënshkruar mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, e më pas marrëveshja e nënshkruar me TAP-in, u miratuan njëzëri në parlament”.
Gazsjellësi Transadriatik, ose Korridori Jugor i Gazit, vendos një lidhje të drejtpërdrejtë mes tregut azerbajxhanas dhe atij europian të gazit. Më 28 qershor të këtij viti, konsorciumi “Shah Deniz” zgjodhi TAP-in për furnizimin e klientëve në Greqi, Itali dhe Europën Juglindore.
Sa i takon Shqipërisë, do të ketë përfitime të shumta: Do të krijojë vende pune dhe do të ndihmojë në zhvillimin e infrastrukturës. Gazjellësi do të përshkojë territorin e vendit tonë nga Bilishti, në kufirin me Greqinë, dhe duke kaluar në veri të Fierit me një shtrirje prej 209 kilometrash deri në Adriatik, në zonën e Semanit, për të përfunduar në Itali.
Në kushtet e vështirësive, me të cilat përballen vendet e Europës Juglindore, veçanërisht Greqia, projekti TAP shihet si nxitës i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, prandaj miratimi i tij është bërë me shpejtësi dhe nuk u përball me pengesa në asnjërin prej vendeve të interesuara.
Italia e priti me entuziasëm projektin, që do të hyjë në territorin e saj përmes Detit Adriatik. Italia është tregu i tretë më i madh i gazit në Europë dhe aktualisht varet shumë nga Afrika e Veriut.
TAP-i mbështetet si nga Bashkimi Europian, ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara. Ndërtimi i gazsjellësit është planifikuar të fillojë në vitin 2014 dhe do të zgjasë katër vjet.
Top Channel