Ashtu sikurse edhe pritej, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka miratuar unanimisht emrin e anëtarit të KLD-së, Neshat Fana, si drejtuesin e ri të Shkollës së Magjistraturës. Neshat Fana është po ashtu i njohur si një ndër ish-avokatët e kryeministrit Sali Berisha.
Në fakt, pas përfundimit të mandatit të drejtoreshës së mëparshme Marjana Semini, Top Channel informoi për mënyrën si u garua për drejtimin e kësaj shkolle, çka i vendos shumë pikëpyetje edhe KLD-së.
Fillimisht në garë ndodheshin emrat e Marjana Seminit, Neshat Fanës dhe Enkelejed Alibeajt, por duke qenë se vetëm njëri prej këtyre emrave duhej të propozohej nga bordi i shkollës në KLD, bordi propozoi emrin e Marjana Seminit.
Në një nga mbledhjet e radhës, KLD e ktheu pas këtë emër pa asnjë argument, çka solli një mbledhje të dytë të bordit, ku njëri nga anëtarët e tij ishte zëvendësuar nga KLD me një tjetër anëtar të saj, Gjin Gjonin, duke përmbysur balancën e votave në bord. Pikërisht nga ky bord doli emri i anëtarit aktual të KLD-së, Neshat Fana, propozim i cili u pranua në mbledhjen e kësaj të premteje.
Pavrësisht se mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura, burimet i thanë Top Channel se njëri nga anëtarët e KLD, gjyqtari Dritan Hallunaj i ka kërkuar shpjegime KLD-së përse u kthye pas më herët propozimi i emrit të Marjana Seminit, pyetje kjo që nuk ka gjetur përgjigje.
Ndërkohë, pas denoncimit të Top Channel për garimin e shtatë anëtarëve të KLD-së për në Gjykatën e Apelit dhe miratimit nga KLD të vetëm një emri, atë të Ilir Mustafajt, mësohet jozyrtarisht se emri i këtij gjyqtari për në KLD nuk është dekretuar nga presidenti dhe për këtë, siç shprehen burime zyrtare, shkak janë presionet e ndërkombëtarëve.
Top Channel