Skandalet e ushtrisë së Arben Imamit nuk kanë të sosur. Forcat e
Armatosura përfshihen në një tjetër skandal, ku nga territoret
ushtarake, që teorikisht ruhen nga trupa të armatosura, janë
transportuar brenda natës rreth 40 tonë gëzhoja të predhave të tankeve
dhe të artilerisë së rëndë, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik
prej 120 mijë eurosh.
Ngjarja vjen pas një sërë skandalesh të njëpasnjëshme të denoncuar publikisht jo vetëm nga media, por edhe nga vetë Partia Socialiste, që kanë të bëjnë me keqadministrimin e pronave dhe të mjeteve të ushtrisë shqiptare.
Ngjarja
Në repartin e Njësive Autonome të Forcave Tokësore në Babrru, Tiranë, në ditët e para të muajit prill të këtij viti, pak para nisjes së fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit, është konstatuar “zhdukja” nga tunelet e ruajtjes së armatim-municionit e rreth 40 (dyzet) tonë gëzhojash tankesh dhe artilerie të rëndë, të grumbulluar këto ndër vite, nga Komanda e Forcës Tokësore, që aktualisht drejtohet nga gjeneral-major Zyber Dushku. Bëhet fjalë për një ngjarje të rëndë, e cila prej afro tre muajsh mbahet e fshehur edhe nga drejtuesit e Forcave të Armatosura, ku vjedhja apo spostimi në destinacion të paditur e kësaj sasie gëzhojash, kap një vlerë rreth 120 mijë euro, nisur dhe nga përbërja e materialit të gëzhojave, për të cilën ekspertë të ushtrisë shqiptare theksuan dje se gëzhoja është prej bronzi, e cila është kryer brenda territorit të repartit që ruhet nga roja të armatosura, pikërisht në hyrjet e këtyre tuneleve. Dhe për më tepër, burime nga Forcat e Armatosura, të cilët denoncojnë këtë vjedhje të hapur, bëjnë me dije se këto gëzhoja janë transportuar me mjete të tonazhit të lartë, të cilat mësohet të jenë futur natën në repartin që ‘mbrohet’ me roja armatosura në të gjithë perimetrin e tij, dhe sidomos në objektet e rëndësisë së veçantë. Ndërkohë, sa i përket ngjarjes, e vetmja masë ndëshkimore që është marrë, është pezullimi nga detyra i magazinierit të këtyre materialeve. Sa u përket hetimeve të rastit në fjalë, nga të njëjtat burime, mësohet se futja në këtë tunel ku ishin depozituar gëzhojat, rezulton se është bërë pa i dëmtuar vulat e hyrjes së tunelit. Njëkohësisht nga ekspertë të FA-ve mësohet se vetëm për ngarkimin e një sasie të tillë nevojiten të paktën 10 persona. Gjë që nënkupton se kjo vjedhje duket se është bërë me pjesëmarrje të gjerë, dhe në dijeni të plotë të organeve drejtuese, të paktën të këtij reparti. Nga ana tjetër, të kontaktuar nga gazeta, ekspertë të tregut të zi të skrapit theksojnë se një kilogram bronz kushton rreth tre euro, ose rreth 400 lekë të reja për kilogram. Dhe e llogaritur në shifra, kjo vjedhje i kushton buxhetit të shtetit një dëm prej 120 mijë eurosh, destinacioni i të cilave mbetet ende i pazbuluar.
Nga po të njëjtat burime mësohet se menjëherë, pasi është njoftuar për ngjarjen, reparti i Njësive Autonome të Forcave Tokësore në Babrru është vizituar nga komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral Zyber Dushku, por edhe nga vetë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, gjeneral Xhemal Gjunkshi.
Policia Ushtarake
Nga ana tjetër, gazeta kontaktoi dje me kreun e Policisë Ushtarake (PU), Ylli Zyla, pasi PU-ja është struktura përgjegjëse për ruajtjen e rendit ushtarak në FARSH, zbulimin, parandalimin, ndjekjen e veprimtarisë kriminale, si dhe mbrojtjen e pronës shtetërore në administrim dhe përdorim të FA-së nga veprimet e kundërligjshme. Në një bisedë telefonike të zhvilluar paraditen e djeshme në lidhje me “zhdukjen” e kësaj sasie gëzhojash, Zyla theksoi për gazetën “Shqip”, se nuk i kujtohej si rast, kjo për shkak të numrit të madh të çështjeve. “Më kujto për çështjen në fjalë”, tha Zyla, duke marrë kohë për të dhënë një përgjigje përfundimtare. Duke mos e mohuar për asnjë çast ngjarjen në fjalë, ish-kreu i SHIU-t theksoi se “kjo çështje mund të jetë në hetim dhe do të ishte joprofesionale nga ana ime që të prononcohem për një çështje në hetim”, u shpreh Ylli Zyla, duke mos dashur të prononcohej më tej me detaje të tjera për këtë ngjarje. Pak ditë më parë, pas hetimeve të bëra nga Prokuroria Ushtarake, u arrit që të kapen në flagrancë dy ushtarakët e garnizonit “Dajti”, Ervin Osmanllari dhe Ermir Telha, të cilët u dënuan nga gjykata me nga 8 muaj burg secili për vjedhje të telave në laboratorin e ushtrisë, duke i shitur më pas për skrap në vlerën e 1 milion lekëve.
Top Channel